TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ngritur tonet në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare jo vetëm ndaj opozitës por edhe ndaj vetë deputetëve të PS-së. Një kritikë kryeministri e ka drejtuar ndaj koordinatores për bashkëqeverisjen Elisa Spiropalli.


Ai tha se priste që ajo të fliste për gjërat për të cilat është zgjedhur dhe madje të thoshte se cilët kryetarë partie në rrethe duhen shkarkuar.


“Unë prisja nga Spiropali që të thoshte gjërat për të cilat që është zgjedhur. Dhe prisja nga Spiropali se cilët kryetarë partie duhen shkarkuar sot jo nesër për faktin që nuk duan t’ia dinë fare bashkëqeverisjen, me një instrument konkret ta vënë në dispozicion të gjithë njerëzve që rrinë rrugëve për të kapur miq, shok për të marrë një hipotekë. Si mundet që pas 6 muajsh të kemi bashki ku kryetarët e bashkisë se kanë marrë ende vesh se çfarë duhet të bëjnë. Deputetët nuk janë zyra puna, nuk janë në përgjegjësinë që të marrin çdo njeri që ka nevojë për punë ta çojnë në punë dhe ti zgjidhin problemet. Deputetëve duhet t’u jepet mundësia që të kenë pikën e referimit ku të drejtojnë njerëzit”, tha Rama.


Duke vijuar me punën e koordinatores, kryeministri theksoi: “Kryetaret ku janë, nuk u kanë dhënë detyrën të merren me punësime, ka që e bëjmë duhen hequr, nuk u ka dhënë njeri detyrën të bëjnë ndërmjetësime, për të rregulluar tërë farefisin, duhen shkarkuar se njerëzit nuk janë qorra e shurdhe dhe nuk u duhet se ca thotë Rama në televizor. Njerëzve nuk u duhet çfarë thotë Rama në televizor apo çfarë thotë ministri për rritjen ekonomike. Elisa nuk e bëri këtë, sepse nuk e ka bërë detyrën si duhet dhe unë shpresoj që ta bëjë”.

(m.k/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb