I ftuar në emisionit ‘Kjo Javë’ ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani u ndal të komentojë edhe procesin e shkarkimit të Presidentit Meta, për të cilin tha se ishte një proces politik për të shmangur vëmendjen nga votimet e 30 qershorit, të cilat i konsideroi votime moniste.

“Nuk ka qenë kurrë një proces serioz, kushtetues, ka qenë një proces me natyrë politike që i duhej Edi Ramës për të shmangur vëmendjen nga votimet moniste. Ishte pak a shumë si historia që shpiku në verë, hajde se do prish teatrin, mblidhuni pak, ndërkohë u harrua raporti i ODIHR. Kështu ishte edhe procedura e shkarkimit me gjasme, Edi Rama e di shumë mirë që nuk e shkarkon dot Presidentin.

Edhe me 150 vota nuk e shkarkon dot, me këtë Kushtetutë që kemi se ai mund të cojë edhe gaz lotsjellës si te Astiri .. kjo është pastaj tjetër histori. Por po themi që sipas Kushtetutës ai e di, por i duhej të bënte një lojë, të ngarkojë opinionin publik që ububu ca po ndodh. E disa do thonë mirë ia bënë qenit, e disa ‘sa gjynah’. Pra të shmangë vëmendjen kjo ka ndodh dhe e konfirmoi edhe Venecia këtë” -tha Manjani.

“Unë mendoj që ky është një shtet karagjoz në thelb. Ky shteti jonë që kemi bërë të gjithë bashkë, kush më shumë e kush më pak. Pse është karagjoz? Sepse ne kemi sot në inventarin e burimeve njerëzore të jurisprudencës, dy persona të cilët kanë shërbyer në Gjykatën e Strasburgut si gjyqtarë, konkretisht z. Kristaq Traja dhe z.Ledi Bianku, të dy kanë shërbyer nga 9 vjet. Sikur gdhe të kishin qenë në jetën e tyre boll që kanë shërbyer për 9 vjet në gjykatën më të madhe të hapsirës europiane dhe këta duhet të ishin sot në gjykatën Kushtetuese të Republikës, pa konkurs pa vetting pa asgjë.

Po thash ky është një shtet karagjoz, sepse bën konkurse falco, fiktive, bën budallallëqe dhe shpi procedura, grema dhe karrema, pika dhe presje, fletore pa fletore zyrtare etj. Kam shumë respekt për ata që janë zgjedh aty, por janë shumë me më pak përvojë se këta dy zotërinjtë që shohin punët e tyre sot në rastin më të mirë. Dhe kjo është pjesë e atij karagjozllëku që këmi ndërtuar ne si shtet, përfshi edhe reformën në drejtësi, të cilës unë vetëm i uroj të mira”, – tha Manjani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb