Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24 ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur si te kampi i opozitës, ashtu edhe te mazhoranca.

Baçi theksoi se vendi ka hyrë në periudhën e fushatës zgjedhore dhe se “diversionet nga të dyja anët janë të paparashikueshme”. Ai e ilustroi këtë me shembuj të ditëve të fundit, ku Kryeministri Edi Rama ka ngritur akuza ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ndërsa sot është kundërpërgjigjur Sali Berisha me deklarata të tjera.

“Jemi në fushatë. Drejtësia nuk duhet të bjerë pre e presionit politik, por duhet të fokusohet nëse ka fakte për denoncimet dhe të mos merret me retorikën e politikës”, tha Baçi, duke shtuar se viti i kaluar ka qenë i ngarkuar me tensione lidhur me drejtësinë dhe hetimet për korrupsionin, veçanërisht në lidhje me SPAK.

Ai gjithashtu vuri në dukje se, pas 12 vitesh në pushtet, Rama nuk mund të mbështetet vetëm në veprime të kaluara të Berishës, pasi ky i fundit ka dhënë llogari për to. Sipas Baçit, kjo largon vëmendjen nga debatet kryesore që duhet të shqetësojnë qytetarët, siç janë çështje ekonomike dhe sociale që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e shqiptarëve.

Në lidhje me opozitën, Baçi theksoi se ajo duhet të debatojë me mazhorancën në mënyrë që qytetarët të mund të kuptojnë se kush ka të drejtë. Ky proces, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëpërmjet një ballafaqimi të vërtetë. Ai po ashtu vlerësoi rikthimin e Berishës në krye të PD-së si një mundësi për Kryeministrin Rama që të vazhdojë të ngrijë akuza të vjetra kundër tij.

Në aspektin zgjedhor, Baçi theksoi se diferenca mes mazhorancës dhe opozitës në vitin 2021 ishte rreth 30 mijë vota, duke shtuar se çdo ndryshim në numrin e votuesve nga diaspora mund të ndikojë shumë në rezultatin përfundimtar. Ai theksoi se regjistrimi i një numri të madh votuesish nga diaspora mund të krijojë një “super mazhorancë” ose të ndihmojë opozitën, duke pasur mundësinë e krijimit të një grupi të ri parlamentar me parti të reja.

Në fund, Baçi theksoi se për diasporën nuk mund të përdoren të njëjtat mekanizma patronazhistësh që përdoren brenda Shqipërisë, duke e cilësuar këtë një faktor që mund të ndryshojë ekuilibrin politik në vend.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb