DIVJAKE- Rimbursimi i TVSH për prodhimet bujqësore nuk është realizuar. Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Divjakës, kryeministri Edi Rama ka pranuar faktin se nuk është zgjidhur problemi me rimbursimin e TVSH për bujqësinë, ndonëse ishte një premtim i fushatës elektorale.

Rama theksoi se po studiohet kjo problematike, për të kuptuar shkaqet se pse skema e aplikuar nuk ka funksionuar, duke u shprehur se po shihet mënyra sesi mund të gjendjet një zgjidhje.

“Siç mund të krenohemi me jo pak pika që janë të zgjidhura, mund të themi se kjo është një pikë që nuk mund të krenohemi. Që të mos bëjmë politikë, nuk e kemi zgjidhur dot përfundimisht këtë çështje. Kemi patur një kurajo që të bëjmë rimbursimin më të lartë në Evropë. 25 % të TVSh në bujqësi nuk e ka njëri, por jemi të vetëdijshëm që të marrim kosto. E kemi menduar ndryshe, tani do ta studiojmë mirë këtë punë për të parë pse nuk ka funksionuar, dhe si mund ta bëjmë të funksionojë. E rëndësishme është që të mos ketë humbje dhe devijime”, tha Rama.

Kryeministri shprehu edhe njëherë rëndësinë e investimit në bujqësi, duke përfituar nga fondet e vëna në dispozicion të fermerëve.

“Nëse të rinjtë shikojnë se kjo tokë nuk prodhon vetëm mbijetesë, por edhe para, atëherë është një pasuri që nuk do e lënë kollaj pa e shfrytëzuar. Ata që e mbajtën gjallë bujqësinë, ishin ata që kishin dijen dhe eksperiencën e para vitit ‘90. Por ajo nuk mjafton më për të qenë konkurrues. Duhet të pajisemi me ide të reja, që kanë të bëjnë më mënyrën sesi mund të financohet në këtë fushë për të përfituar më shumë.

Në maj-qershor të 2017 s’do të ketë më asnjë parcelë tokë buke që të mos ketë ujë. Ne e kemi arritur këtë për shkak të reformës që të bëjmë shumë më tepër punë, me shumë më pak para krahasuar me të shkuarën. Duke rritur pak shumën e parave arritëm të bëjmë atë që nuk u bë për 20 vite”, tha kryeministri.

Qytetari: Ju jemi mirënjohës që çuat në vend problematikën e hasur në bujqësi prej kohësh. Në analizën 9-mujore kanë rezultuar disa probleme, fermerët kanë probleme me inputet bujqësore. Fermerët mbjellin, por problemi është që këto prodhime nuk merren cilësore si rezultat i faktorëve të ndryshme. Edhe pesticidet nuk janë efektive. Kjo gjendje është edhe tek plehrat kimike.

Panariti: Problemin e insketicideve e kemi marrë parasysh. Shpërndarja e plehrave kimike direkt nga distributorët duhet të bëhet në pika t e grumbullimit që do jenë të certifikuara. Nëse kalojnë në dorë të dytë apo të tretë ekziston rreziku falsifikimit. Në rast se fermeri dështon, në rastet kur plehrat dhe insekticidet janë marrë në pikat e autorizuara ka një përgjegjës. Në rastet e tjera është e vështirë, pasi plehrat nuk mund të merren aty në rrugë.

Rama: Ne jemi shumë të vetëdijshëm që janë gjithë kërko probleme që vijnë kaskadë. Nuk kemi zgjedhur të merremi me njërin e të lëmë të tjerët. Por nuk mund të merremi me të gjitha përnjëherë. Është me rëndësi që inputet të merren në pikat e autorizuara, dhe shteti është përgjegjës, duke i kërkuar përgjigje pikave të autorizuara. Po nëse shkon ia merr aty në rrugë dikujt se kujton se është më lirë.

Qytetari: Po me çështjen e certifikatave të pronësisë …
Rama: Unë e konsideroj kompliment që kërkoni nga kjo qeveri që në një kohë të shkurtër të zgjidhe ato që në 25 vite janë ngatërruar sa herë kanë thënë po i zgjidhim. Ne bashkë me zgjidhjen e problemit me ujin, kemi marrë edhe një proces tjetër të zgjidhjes së pronësisë së tokës. Duhet të keni dokumentin, se nuk i dihet. Jo se do vijë Mediu e do zgjidhe ato problemin e pronës. Ne duam që kush e ka marrë tokën në përdorim me 7501 të bëhet pronar i ligjshëm i tokës. Ky proces ka filluar. Dhe njerëzit kanë filluar të marrin në dorë certifikatën që i bën pronarë të ligjshëm. Kështu fillon të krijohet tregu i tokës, pasi jemi një vend në mes të Europës pa treg toke.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb