ERSEKE- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar paraditen e sotme një takim elektoral me banorët e Ersekës. Teksa ka komentuar marrëveshjen e 18 majit me kreun e opozitës për zgjidhjen e ngërçit politik, ka theksuar se këtë nuk e bëri për pushtet. Rama tha se nëse do të donte pushtetin, do të shkonte në zgjedhje pa opozitën.
E fill pas kësaj, kryeministri Rama ka filluar me batutat. Ai tha se po të mos kishte arritur marrëveshje me Bashën, opozita do të ishte ende në çadër. E këtu, Rama ka risjellë ndërmend fotot e tij nudo, jo pak të komentuara.
“Mos ishte për ne, Basha do ishte akoma në çadër, me rroba banje. E do më kujtonte mua me ato foto, i kujtoni ju. E do thoshte kishte të drejtë i shkreti, se kjo vape nuk durohet. Dhe do ishte duke kërkuar ujë nga Lali Eri për të freskuar demonstruesit. E ne nuk ishim duke bërë debate para zgjedhjeve, por do kishim 100 e ca deputetë. Po pse nuk e bëmë ne këtë, sepse ne nuk duam pushtet për vete”, u shpreh Rama.
(el.sp/BalkanWeb)
