TIRANË

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sërish mbështetësit e opozitës se kush kryen krim elektoral nuk do të lejohet të dalë jashtë vendit për 5 deri në 10 vite. Në një takim me banorët e njësisë administrative nr.1 në Tiranë, Rama tha se kjo masë do të kalojë nesër në parlament.

“Nuk do lejohet të dalin nga vendi 5-10 vite kush kryen krim elektoral. Kjo masë do të kalojë nesër në Parlament. E gjithë kjo rrëmujë bëhet nga frika e reformës në drejtësi. Keqardhje për ata që i ndjekin se po përfundojnë burgjeve. Shkojnë në burg për Lulin dhe për fallxhoren. Ata nxisin njerëzit të bëjnë rrëmuja, vetë flenë në shtëpitë e tyre”, deklaroi Rama.


Kjo deklaratë e kryeministrit vjen pas tensioneve të krijuara ditët e fundit në KZAZ-të e vendosura në bashkitë që drejtohen nga të djathtët, çka ka çuar në arrestimin e mbështetësve të PD e punonjësve të bashkive. Kujtojmë se në Burrel e Kamëz sot policia hodhi gaz lotsjellës, ndërsa pati dhe të plagosur.


(m.k/BalkanWeb)