TIRANE- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur në mënyrë indirekte kritikave të deputetit të tij Ben Blushi nga “Panairi i Punës 2015” duke thënë se Shqipëria është në rrugën e “Rilindjes”.

Rama ka shtuar më tej se nëse Blushi (pa përmendur emra) ka pritur ndryshime rrënjësore sapo u ndërrua pushteti, ka parë në programin e PS “absolutisht një gjë që nuk ekziston”. Kreu i Ekzekutivit tha se “shifrat e punësimit tregojnë se Shqipëria është kthyer në drejtimin e duhur e se në këtë drejtim ka ende shumë, shumë punë për të bërë”.

“Shqipëria është në rrugën e ‘Rilindjes’. Kush ka shpresuar e menduar gabimisht se Shqipëria e rilindur ishte një punë e lehtë dhe mjaftonte që të ndryshonim qeveritë dhe flamurin e partisë që qeverisja e rilindjes do të ndodhte vetë, ka parë absolutisht një gjë që nuk ekziston. Ashtu sikurse kush përpiqet të thotë se ku i keni këto e ato, e përpiqet ta thotë që në ditën e parë…, i merr shqiptarët për budallenj dhe duke shfrytëzuar problemet e hallet reale dhe një dëshpërim që është real në shumë njerëz, të bëjë politikën e llojit më të ulët. Që s’ka asnjë ide, program, asnjë alternativë, por vetëm rrugën e ‘shpif shpif shpis se me siguri diçka do mbetet, hidh baltë se me siguri dëshmpërimi do shtohet, gënjë gënje se me siguri do gjenden njerëzit që do ta hanë gënjeshtrën tënde”, tha Rama

Teksa solli në vëmendje disa shifra për nivelin e punësimit, i cili sipas tij është përllogaritur në 93 mijë persona më shumë të punësuar sesa vitin e kaluar, Rama theksoi se vendi i punës nuk të thërret, por se duhet ta kërkosh vetë.

“Ajo çka ne po përpiqemi dhe duam të ndryshojmë është qasja ndaj nevojës për punë. Puna nuk vjen të të trokas në shtëpi e të zgjojë nga gjumi, dhe po të pres tek kafja e bëjmë muhabet dhe ja ku më ke. Puna duhet kërkuar me këmbëngulje. Ndaj siç prodhon historia e suksesit të këtij panairi dhe zyrtar te punës, kush këmbëngul e gjen një punë. Ndaj duhet të bëhet dallimi mes asaj nga dikush që kërkon një rrogë, apo një punë që të siguron një rrogë. Ndaj, ka njerëz që duan punë që të ofron shteti. Shohim se ka njerëz të dëshpëruar kur duan punë dhe kur ne i orientojmë në punë private, thonë se duan një rrogë shteti. Nga ana tjetër, Shqipëria është larg një vendi ku papunësia është një problem i zgjidhur, Shqipëria është një vend me papunësi të lartë dhe kjo është një plagë e hapur në shumë nga vendet e BE.”, -tha Rama.

Teksa është ndalur tek kandidati për zgjedhjet lokale të 21 qershor për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, Rama theksoi se kryeqyteti do ketë tashmë për drejtim një njeri punëtor. Kreu i Ekzekutivit nuk la pa përmendur dhe zërat, të cilat i ka quajtur ‘kori i kukuvajkave’ që Panairi i Punës ishte hapur enkas në prag të fushatës elektorale.

“Si punëtor më i mirë i këtij qyteti, ai nuk është më ministri i Mirëqenie Sociale, por kandidat për bashkinë e Tiranës. Duke vënë në krye të Tiranës këtë punëtor, ajo do ti rikthehet punës dhe do bëhet lokomotiva e punësimit real. Ndaj duket qene se Ministri nuk është më në detyre, dua ti shpreh mirënjohjen dhe respektin për punën e panjohur që ka bërë se nën drejtimin e tij qasja ndaj punësimit dhe në tërësi qasja e qeverisë shqiptare ndaj temës së Mirëqenies Sociale ndryshoi dhe u vu në drejtim të duhur, jemi në gjendje ti bëjmë ballë kësaj. Kam dëgjuar këto ditë se sapo u lajmërua çelja e Panairit të Punës nisi kori i kukuvajkave se kjo është shfaq elektorale. Ndaj ka arritur të kemi dhe një episod për një që ishte i pashpresë dhe donte punë. E morë na tel dhe i thash shko te Panairi i Punës dhe provo shansin tënd. Pse më tha ca jam unë? Të më përdorni mua për fushatë? Por e vërteta është se siç dëshmuan disa të rinj që folën këtu, vetëm brenda 2 vitesh janë adresuar mbi 800 kontakte dhe mbi 800 persona që do fillojnë punë.”, -pohoi kryeministri.

Më tej numri një i Qeverisë deklaroi se rritjen e nivelit të punësimit e faktojnë dhe shifrat e INSTAT-it.

“Pas asnjë dyshim sot Shqipëria është një vend që ende nuk ofron mundësi të barabarta për të gjithë dhe punësim real për të gjithë, por siç tregojnë jo shifrat, por siç tregojnë historitë jetësore të mijëra njerëzve që sot janë në punë, Shqipëria sot po merr kthesën në rrugën e duhur. Sepse numrat flasin qartë. Siç flet qartë dhe një statistikë e INSTAT-it, i cili thotë se janë 83 mijë më shumë njerëz në punë në Shqipërinë e sotme dhe jo asaj të 18 muajve më parë. Këto janë shifra që nuk tregojnë se Shqipëria nga një vend që ishte i lumtur, është kthyer në të palumtur. Kjo reformë rrënjësore dhe në shumë plane që është bërë nga MRSS dhe që po bëhet nga gjithë ministritë për të vendosur në drejtimin e duhur të vendit, përmes reformave të thella e ndonjëherë dhe të dhimbshme, nuk është një shkop magjik dhe e çon të vdekurin nga varri dhe e bën të thyej rekord për not. ‘Kanceri’ nuk mund të zhduket me aspirina, apo makijazh, por kërkonin operacion të thellë rrënjësor dhe kurajoz. Më lejoni t’ju them se historia e shumë vendeve që kanë nisur reforma të një natyre transformuese si reformat tona, flet qartë se rezultatet e reformave nuk vinë as të gjitha menjëherë.”, -tha Rama.

Kreu i Qeverisë është shprehur se për këtë vit fondi i punësimit është rritur, dhe parashikohet punësimi i 6 mijë personave.

“Duam ta shohim me më shumë kurajo dhe besim të nesërmen. 2015 që ne jetojmë sot solli një rritje në 4.8 mln fondin për nxitjen e punësimit. Vjet u punësuan 4 mijë njerëz. Këtë vit me këtë fond do mundësohet punësimi i 6 mijë njerëzve dhe do të nxitet krijimi i sipërmarrjeve.

Kur ne morëm në dorë qeverinë, dhe ajo që quhej Ministri e Punës ishte një furrik, shtet paguante për të mbajtur në punë si zyrtarë të kësaj ministrie dhe të zyrave të punës, më shumë njerëz sesa mund të punësonte. Pa llogaritur nëse ishte punësim real, apo klientelist. Ne kemi vënë në lëvizje me këtë fond mekanizma që nuk funksiononin më parë, dhe që synojnë rritjen e fokusimit për të rinjtë, gratë, personat me aftësi të kufizuar, etj.”, tha Rama.

Duke u ndalur tek arsimi profesional, kryeministri Rama tha se do të ketë rritje të investimeve në këtë fushë, si dhe nxitje të të rinjve.

“Edhe arsimi profesional në qeverisjen e kaluar, ishte bërë si një tjetër furrik. Ne do të rrisim investimet për arsimin profesional, dhe përmirësimi i sinergjisë me bizneset, pasi për këtë kategori ka më shumë mundësi reale për punësim”, u shpreh kryeministri Rama.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb