TIRANE

“PS nuk ka datë për tënegociuar sa i takon zgjedhjeve të 30 qershorit”. I prerë kryeministri Edi Rama u tregua ndaj gatishmërisë së Presidentit Ilir Meta, për rishikim të dekretit për datën e zgjedhjeve vendore, në funksion të zgjidhjes së ngërcit politik.

Në konferencën me ambasadorin e BE-së në Tiranë, kreu i qeverisë shqiptare, iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me këtë cështje, ndërsa theksoi se vendi nuk mund të merret peng apo t’i nënshtrohet axhendave partiake të kujtdo qoftë.

“Presidenti në këndvështrimin tim, ka shprehur një gatishmëri për t’u vënë në dispozicion të një zgjidhje me pëlqimin e partive politike. Më lejoni t’ju përsëris që PS, shumica qeverisëse, nuk ka asnjë pëlqim lidhur me asnjë diskutim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kjo nuk ka lidhje me sforcon e respektueshme të Presidentit, kjo ka lidhje me qëndrimin tonë të prerë e të qartë që më 30 qershor, nuk është cështja kush do të fitojë zgjedhjet bashkiake, por duhet të fitojë Shqipëria institucionale dhe kushtetuese, e cila nuk mund të merret peng e nuk mund t’i nënshtrohet axhendave partiake të kujtdo qoftë.

Në këtë aspekt, në raport me presidentin kam qenë e mbetem i bindjes se i duhet dhënë Cezarit ajo që i takon Cezarit. E vlerësoj, gatishmërinë e presidentit dhe jam i bindur që nuk e keqkupton reagimin në raport me këtë pyetje që ne nuk kemi datë për të negociuar dhe nuk kemi kushtetutë për të anashkaluar.” -tha Rama.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: