Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rama është nga radhët e LSI-së, por sot në këtë qytet, kryeministri Rama ndonëse nuk u mor me të personalisht, kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme pushteti vendor t’ju kalonte socialistëve me qëllim që të bëhet më shumë punë.


“E kemi fituar bashkinë e Gjirokastrës në koalicion, por shumë gjëra që nuk janë bërë me ne do të ecnin shumë me shpejt dhe do të bëhen shumë më mirë sapo të vijnë zgjedhjet e ardhshme. Ne e dimë shumë mirë se Shqipëria që kemi nuk është ajo që duam, por është si dita me natën me atë që kishim, kështu do jetë edhe Gjirokastra. Kemi kërkuar të na jepni votën jo për të qeverisur si këta por për të qeverisur bashkë me ju duke dëgjuar çdo komunitet që ankohet, çdo individ që na drejtohet për një padrejtësi”,- u shpreh Rama.


Ndër të tjera, i pari i qeverisë iu dërgoi një tjetër mesazh demokratëve, të cilët tha sot nuk duhet të pranojnë të përdoren si mish për top.


“Demokratët kanë mbetur jetim, të tradhtuar, të tallur. Jetimë të cilët kërkojnë t’i marrin për budallenj, t’i tërheqin prej hunde, për çfarë? Për t’i vënën flakën atyre që janë ndërtuar për të djegur edhe njëherë imazhin e Shqipërisë në sytë e Botës. Këta duan të përdorin si mish për top ata që i tradhtuan, atyre që iu morën votat për të luftuar për një vizion që se kanë pasur kurrë”.

(m.a/BalkanWeb)