Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në takimin me shqiptarë të Selanikut, u ndal edhe tek një protestë e mbajtur para nisjes së takimit.
Ai i quajti fantazma të gjalla të së shkuarës, ata që ishin angazhuar në protestë kundër ardhjes së tij, duke përdorur fletushka dhe parulla që lidhen me termin e “Vorio Epirit”
“Vorio Epiri është një term i vdekur. Këto nuk janë arsye që të ushqejmë ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë. Greqia është një partner i pazëvendësueshëm që, bashkë me Italinë dhe Turqinë, përbën një trekëndësh strategjik të politikës sonë të jashtme”, tha ai.
Ndërkohë media greke Protothema shkruan se protesta u zhvillua nga anëtarët e organizatave nacionaliste.
“Sipas tyre, ata po reagojnë ndaj pranisë së kryeministrit shqiptar në Selanik në një kohë kur ‘shteti shqiptar po shkel sistematikisht të drejtat e njeriut të minoritetit të njohur grek të Vorio Epirit’”, ndërsa protestojnë edhe për vrasjen e Katsifas”, thuhet në artikull.
(BalkanWeb)