TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive për të rindezur sinjalin e transmetimeve analoge, i cili u ndërpre dje.

Në një postim në Twitter Rama përshëndet vendimin e AMA-s dhe thotë se zbatimi i normës europiane duhet të bëhet pasi t’i sigurohet akses kujtdo në sistemin e ri.

“Përshëndes vendimin e autoritetit të pavarur për rindezjen e sistemit të vjetër të transmetimit televiziv. Zbatimi i normës europiane është një domosdoshmëri, por nuk fiket sistemi i vjetër pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri. #EgjithëVëmendjaPërNJERËZIT”, shkruan kryeministri.

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka shtyrë sot fikjen e transmetimeve analoge për 4 muaj. Me sa duket për shkak të problemeve me të cilat janë hasur qytetarët dhe ankesat e shumta, AMA e ka parë të udhës këtë vendim.

AMA deklaron se do të rindizen sërish transmetimet analoge dhe se sinjali analog i transmetimit do të fiket më 15 janar 2019.

AMA iu ka bërë thirrje qytetarëve që të pajisen me dekodera deri më 15 janar. Ndërkohë do të vijojnë transmetimet dixhitale për ata që kanë blerë aparatin.

“Kemi vendosur ridezjen e transmetimeve analoge. Për ata që kanë blerë aparatin e ri do të vijojnë që të shikojnë transmetimet dixhitale, ndërkohë që ata që ende nuk janë pajisur u lihet katër muaj kohë për t’u pajisur me dekodera, do të shtyhet afati në 15 janar 2019. Me gjithë njoftimet prej një viti, konstatohet se shumë prej tyre e kanë lënë për një moment të fundit. Përpara se të vij data 15 janar 2019, kini parasysh se dekoderi DVB-T2 kushton 2990. Ndërsa ata persona, të cilët kanë televizor të ri të tipit DVB-T2, e kanë të inkorporuar dekoderin që do të thotë nuk kanë nevojë të blejnë një të tillë të ri”, u shpreh Kreu i AMA-s, Gentian Sala.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb