Me falënderime të përzemërta për Vangjush Dakon, që sipas tij shtroi rrugën që Valbona ta çojë Durrësin përpara, kryeministri Rama dha edhe mesazhe të tjera nga qyteti bregdetar në mbyllje të fushatës zgjedhore.

Sipas tij, qytetet e drejtuara nga PS janë model për tu krenuar, ndryshe nga ato të PD-së, (ku si shembull mori Shkodrën), që janë pis.

“Në këtë fushatë ne kemi mundësi që t;’i vendosim përballë të dyja modelet, të dyja alternativat, të dyja botët. T’i themi kujtdo shiko çfarë bëjmë ne kur drejtojmë një bashki, shiko çfarë bëjnë këta të tjerët. Ne mund t’i tregojmë me krenari qytetet tona, po ju më tregoni një qytet të drejtuar nga demokratët dhe më thoni ia vlen t’ua japësh votën përsëri? Bashkitë e drejtuara prej PD janë pis. Është e paimagjinueshme sa e pistë është Shkodra, të mos hysh tek të tjerat pastaj. Kjo është çështje njerëzish që e duan pastërtinë dhe të tjerë që jetojnë më mirë në pisllëk”,- tha Rama.

Nga Durrësi, Rama nuk la pa përmendur Presidentin Meta dhe kryedemokratin Basha.

“Del Ilir Meta dhe thotë pluralizmi është pjesëmarrja e shumë forcve e s’mund të ketë zgjedhje me një kandidat. Në fakt kur shqiptarët kanë vendosur të jetojnë nën pluralizëm kanë qënë në një mendje që populli zgjedh, ama pluralizmi është që secili zgjedh edhe nëse do të hyjë apo jo në zgjedhje. Ata kanë një arsye shumë më të madhe se sa fakti që me ne e dinë shumë mirë që nuk fitojnë dot. Arsyeja ka të bëjë me momentin historik ku ndodhet Shqipëria, çeljen e negociatave në BE. Kjo që kemi përjetuar në këtë periudhë është një seri e re e një filmi që e kemi parë dy vjet më parë kur në parlament do votohej vettingu. Ata ikën nga parlamenti dhe poshtë zyrës time ngritën bunker plastmasi, vinte Luli këndonte himnin. Në fakt, për hir të së vërtetës nuk këndonte vetë, kishte një tenor. Pastaj mbante fjalim, ikte në drekë flinte, se po të mos flinte. nuk ia mbante dot atij. Thoshin të njëjtat gjëra: Rama ik..të gjithë i luteshin, BE, ndërkombëtarët. Në fund i ngela vetëm unë se të gjithë u dorëzuan na thanë futuni vetëm në zgjedhje. Unë nuk u dorëzova.. Aq nuk u dorëzova sa shumë nga njerëzit rreth e rrotull nuk e kuptonin pse i lutesha aq shumë. E kam thënë dhe e përsëris: I jam lut atij njësoj si të ishte Zhuljeta, siç nuk do i isha lutur kurrë gjithë nimfave të detit të Durrësit. Në fund fare u morëm vesh… mori gjithçka që i deshi zemra gjysmën e qeverisë…”,- tha Rama ndër të tjera.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb