TIRANË

Disa replika janë zhvilluar sot mes kryeministrit Edi Rama dhe paraardhësit të tij Sali Berisha, me të cilin ka pasur përherë betejën më të fortë politike. Nuk janë kursyer sot akuzat dhe fyerjet. Rama e akuzoi Berishën se ka falsifikuar e fabrikuar dokumente duke iu referuar gjyqit për djalin dhe se ka shkaktuar dhimbje e lot në familjen e tij.

“Vetëm ilustrove atë që thashë. Nuk ke lidhje me asnjë rregull të librave të vjetër apo të ri të mirësjelljes shqiptare. Ke fabrikuar dhe falsifikuar dokumente. Je ti që ke bërë këtë gjë. Je ti që ke shkaktuar dhimbje e lot në familjen time. E ndolle, nuk kam lidhje as me vizat e bardha e as me vizat e mallit, ti shiko vizën e kuqe që të ndan matanë oqeanit”, tha Rama.

Por Berisha i është përgjigjur ashpër.
“Të kthehemi të debati i tij me besnik Mustafajn. Tre gjëra nuk bëhen tha, nuk vras, nuk vjedh dhe nuk marr gruan e shokut. Ia ke thënë apo nuk ia ke thënë. Dokumentet t’i ka botuar Ymer Baze që të mban peng qoftë me dosjen e djalit dhe të rri gjithë ditën në zyrë dhe të zhvat çdo favor sepse ka origjinalet.
Nuk është këtu Ilir Meta se është në Presidencë. Meta ka deklaruar se të ka detyruar të njohësh djalin se përndryshe s’do të votonte për kryetar bashkie. Të ka detyruar t’i japësh kafshatën. Edhe kafshën, edhe derrin, edhe lopën, edhe gomarin, edhe qenin po ta shohësh që nuk kujdeset për këlyshin do ta heqësh qafe. Ky ishte për t’u hequr qafe që atëherë. Ai që ia bëri ai rri gjithë ditën në zyrën e tij sepse ai ka origjinalin, ka kartelën klinike origjinale, ka dosjen gjyqësore origjinale. E dinë mirë të gjithë”, tha Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb