TIRANE – Kreu i Qeverisë, Edi Rama, ka marrë disa kërcënime në celularin e tij, që i dërgoheshin me mesazh nga avokati Bashkim Hoxha, i cili ka rënë sot në prangat e policisë.

Sipas gazetarit Spartak Koka, kërcënimet e Hoxhës ndaj Kryeministrit kanë vazhduar për ditë me radhë, madje edhe gjatë orëve të natës. Fillimisht është menduar se sms-të janë dërguar nën ndikimin e alkoolit, por kur ato kanë vazhduar për disa ditë, Rama ka vendosur të denoncojë kërcënuesin.

Hoxha është një ndër avokatët që kanë mbrojtur Dritan Dajtin, person i akuzuar për vrasjen e 4 policëve në Durrës. Të martën avokati Hoxha pritet të dalë përpara Gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.

Njoftimi i Policisë: “Më datë 29.11.2014, ora 23.30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bashkim Hoxha, 52 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë sepse ky shtetas ka dërguar sms kërcënuese për shtetasin me iniciale E.R. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua telefoni celular i markës “Samsung”. Nenet 84 dhe 275 i Kodit Penal.”

AVOKATI: KAM QENE I PIRE, NUK MBAJ MEND ASGJE

Avokati Bashkim Hoxha, i arrestuar për kërcënimin e kryeministrit, nuk ka dhënë asnjë arsye konkrete për SMS-të fyese e kërcënuese të dërguara në celularin e Ramës, duke thënë se ka qenë i dehur dhe nuk mbante mend asgjë.

Sipas burimeve pranë policisë, që i referohen dëshmisë paraprake të dhënë nga 52-vjecari, ai ka thënë se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe nuk i kujtohej asgjë.

ZBARDHEN AKUZAT NDAJ AVOKATIT QË KËRCËNOI RAMËN

Kanosja dhe përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike janë dy akuzat e ngritura nga prokuroria ndaj avokatit Bashkim Hoxha, i ndaluar nga policia me akuzën e kërcënimeve ndaj kryeministrit Edi Rama. Mësohet se avokati e ka kërcënuar Kryeministrin rreth orës 04.00 të mëngjesit të datës 29 nëntor 2014.

Gazeta “Panorama” shkruan se pas mesazhit të parë ku avokati e ka krahasuar Ramën me Ismail Qemalin e Isa Boletinin, kryeministri e ka telefonuar dërguesin e mesazhit dhe biseda mes tyre është acaruar fillimisht për shkak të orarit në të cilin mesazhi i parë ka mbërritur në celularin e kreut të qeverisë. Më pas avokati ka dërguar shtatë mesazhe të tjera kërcënuese dhe fyese për kryeministrin dhe familjen e tij. Kreu i qeverisë ka njoftuar Ministrin e Brendshëm i cili ka përcjellë çështjen në polici për hetime. Pasi është bërë lokalizimi i avokatit ai është vendosur në pranga në banesën e tij. Ai ka pretenduar se ka qenë i dehur dhe nuk mban mend detajet e komunikimit me Ramën, por pretendon se gjatë telefonatës, Kryeministri e ka fyer. Nga hetimi, por edhe dëshmia e avokatit nuk ka deri tani ndonjë arsye apo motiv të veçantë për kërcënimet në adresë të kryeministrit.

(ar.sh/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb