Deputeti socialist Gjetan Gjetani ka reaguar pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.

Gjetani një ditë më parë kritikoi qeverinë dhe policinë e për këtë arsye kryeministri Edi Rama nga Asambleja e PS-së tha se deputeti duhet të përjashtohet nga grupi parlamentar, pasi sipas tij ka shantazhuar përmes postit.

Po Gjetani këtë vendim e ka quajtur të padrejtë. Ai thotë se socialist nuk e ka bërë kryeministri dhe për rrjedhojë nuk mund ta largojë.

Deputeti socialist e quan kryeministrin arrogant dhe thotë se këtë arrogancë e kanë edhe të besuarit e tij në Kurbin. Ai premton se do të jetë afër njerëzit dhe do ngrejë zërin për ta.

STATUSI I GJETANIT
Vendimi i Edi Ramës, për të më larguar nga Grupi Parlamentar, është një vendim i padrejtë.
Nuk më ka bërë socialist Edi Rama, dhe nuk ka se si ai të më largojë. Socialist kam qenë në ditë të vështira të PS me familjen e njerëz të afërt të mi, dhe jo sot në pushtet kur ndahen tendera e privilegje.
Sot Edi Rama nuk ofroi asnjë zgjidhje për Kurbinin. Duke më sulmuar mua publikisht, ai as nuk shtoi investime, as vende të reja pune në Kurbin. Përkundrazi, shtoi vetëm një dozë tjetër të arrogancës së tij, arrogancë që e kanë dhe të besuarit e tij në Kurbin, dhe kjo jo vetëm nuk është ajo çfarë presin banorët me shumë halle, por vetë problemi që prodhon edhe më shumë hendek mes qeverisë dhe njerëzve.
Unë pavarësisht se si shkojnë interesat e ditës së Ramës dhe miqve të tij, do vazhdoj të jem pranë qytetarëve.
Nuk kam qenë asnjëherë i pushtetshëm, por kam qenë i vërtetë me njerëzit. Dhe do vazhdoj të ngrejë zërin, për të gjitha shqetësimet dhe problematikat që kanë qytetarët e Kurbinit, duke mos u lëkundur për asnjë arsye.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb