Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i ftuar në emisionin “Frontline” nga gazetarja Marsela Karapanço në News24, komentoi turin ballkanik të kryeministrit Edi Rama në Kosovë.
Mustafaj kritikoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk priti Ramën në Kosovë, teksa tha se Rama po përpiqet të marrë një rol protagonisti që nuk e mori dot në Open Balkan dhe që do ta marrë për Samitin e Berlinit. Më tej tha se pavarësisht këtyre, Kurti duhet ta kishte pritur Ramën.
“Qëllimi turit ballkanik është samiti i Berlinit, i cili në edicionin e radhës do jetë në Tiranë. Kurti për mua ka bërë një gabim te madh që nuk ka takuar Ramën. Duhet të jetë një burrë shteti i hapur për takimet dhe nuk mund të shmangë shkëmbimin e mendimeve. Kjo nuk është hera që parë që ndodh. Vitin e kaluar erdhi presidentja Osmani në Tiranë dhe nuk u prit nga kryeministri. Osmani është shumë më diplomate dhe e zgjuar se dy kryeministrat. Edhe kur erdhi në Shqipëri, që Rama jo vetëm që nuk i rezervoi një pritje të veçantë, por nuk shkoi as në Kuvend ku ajo foli, sërish Osmani e kapërceu me dinjitet dhe nuk e ktheu çështjen në personale.
Kjo gjuhë para politike, arkaike që përdor Rama është e padenjë për një drejtues shteti, Ç‘hyn Kanuni këtu?
Rama po përpiqet të marrë një rol protagonisti që nuk e mori dot në Open Balkan dhe që do ta marrë për Samitin e Berlinit. Është çështje protagonizmi.
Sjellja e sotme e Kurtit nuk është prej burri shteti dhe politikani vizionar. Ai duhej të takohej me Ramën dhe të flisnin për procesin e Berlinit. Tirana është vend mikpritës për samitin, por jo udhëheqës gjithsesi.
Unë e bëra kritikën time shumë serioze për Kurtin, por gjatë këtyre dy viteve, Kurtin e ka lënë pas dere dhe e ka trajtuar si të pazotë”, u shpreh ai.
(BalkanWeb)