Kryeministri Edi Rama, në një takim me të rinjtë e njësive 1, 2 dhe 3 në Tiranë, komentoi me tone ironike partitë e reja që po hyjnë në garën elektorale, duke i quajtur ato “shitës të qilimave fluturues”, dhe duke thënë se ajo që i dallon prej të tjerëve është vetëm mosha dhe pamja e re.
“Shitësit e qilimave fluturues, hajde hipni në qilim. Pyesni prindërit tuaj për qilimat e ’97. Katër veta që çmendën dynjanë, që u thoshin shqiptarëve: të hënën fut 1 milion lekë, të premten merr 2 milionë, dhe bufi thoshte janë para të pastra kapitalizmi, futuni. Kështu janë dhe qilimat që kanë të re vetëm fytyrën edhe moshën,” u shpreh Rama, duke kujtuar situatat kaotike të piramidave financiare në vitet ’90.
Ai bëri gjithashtu ironi edhe me procesin e primareve të Partisë Demokratike, duke thënë: “I patë primaret, futuni të votojë populli se kush do votohet do bëhet deputet. Më shumë deputetë ka nga Big Brother se nga primaret.”
Duke theksuar rëndësinë e drejtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian, Rama theksoi se për PS nuk ka rëndësi vetëm flamuri partiak: “Këtu nuk ka asnjë flamur të PS, është flamuri më i bukur në botë dhe flamuri i BE”, tha Rama.
