Kryeministri Edi Rama i pranishëm ditën e sotme në një aktivitet ku u prezantua flota e re e makinave të policisë, foli për mundësinë e krijimit të xhandarmërisë. Shefi i qeverisë teksa prezantoi nismën tha se pas plagosjes së efektives, Ina Nuka, shumë shpejt në parlament do të kalojë projekti i ri për krijimin e forcës së re të specializuar.

Kryeministri shpjegoi se pjesë e xhandarmërisë mund të jetë një numër i konsiderueshëm efektivësh nga policia ushtarake.

“Kemi nevojë për një reagim intensiv dhe të vazhdueshëm, ndaj të fortëve.

Me shpejtësi do të çojmë në parlament projektin e ri për krijimin e një force tjetër reagimi parandalues, një force të shpejtë dhe superspeciale, që do të merret në mënyrë të dedikuar me ët gjithë ata që janë bezdi për komunitetet, që kanë precedentë penalë apo profile kriminale.

Nga ana tjetër, duhet të çojmë përpara dhe të finalizojmë diskutimin për xhandarmërinë, për të marrë një vendim përfundimtar, pas shumë e shumë debatesh të bëra në të kaluarën.

Duhet të kalojmë nga epoka problematike, në një raport të kontrollit të plotë në fushën e sigurisë. Duhet të përfshijmë edhe një numër të konsiderushëm efektivësh nga policia ushtarake, nëj temë kjo që meriton një debat shterrues, pa humbur kohë”, deklaroi ndër të tjera Rama.

Është folur prej kohësh për krijimin e xhandarmërisë si Turqia apo Franca apo edhe Karabinieria në Itali. Policia Ushtarake që diskutohet për t’u kthyer në një forcë të tillë është pjesë e Forcave të Armatosura, pra me status ushtaraku.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb