Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “drejtësia më parë ka qenë e urdhëruar nga partia në pushtet”. Duke folur gjatë takimit me shqiptarët në New York, Rama theksoi se “të gjithë ministrat e kohës së diktaturës dhe deri te Fatos Nano kanë qenë të dënuar politikisht”.

“Gjithë shqiptarët edhe nëse s’janë historianë, dinë aq histori, që të shohin se qysh prej 1912, për herë të parë në histori njerëz të veshur me pushtet politik, apo të lidhur me pushtetin polik i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë, pavarësisht pozicionit, apo lidhjes së tyre me partitë qoftë në qeveri apo opozitë.

Kurrë më parë në histori, një individ me profil të lartë politik, nuk është hetuar, gjykuar apo dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika. Të gjithë ata që janë dënuar më parë që nga ministrat e kohës së diktaturës deri te Fatos Nano, kanë qenë të dënuar politikë të një drejtësie qoftë në diktaturën komuniste apo demokracinë fëminore shqiptarë, ka qenë e urdhëruar nga partia në pushtet,” tha Rama.

Deklarata e kryeministrit Edi Rama vjen në një kohë kur SPAK regjistroi një tjetër goditje drejt politikanëve të nivelit të lartë. Të hënën e 21 tetorit, me urdhër të SPAK u arrestua ish-presidenti Ilir Meta. Ai u la në arrest me burg nga GJKKO i dyshuar për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurive.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb