Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë sot rreth orës 10:00 deputetët socialistë në Elbasan, pas takimit “retreat” që zhvilloi në 1 shtator me qeverinë në Dajt.

Mësohet se deputetet do të njihen me punën e bërë deri më tani nga komisionet e posaçme të “Antikorrupsionit” dhe “Dezinformimit. Fatmir Xhafaj dhe Erjon Braçe dy kryetarët e këtyre komisioneve do të njohin ligjvënësit socialistë me ecurinë dhe objektivat. Në këtë mbledhje pritet të mbajnë fjalime edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali si dhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.

Sikurse mëson BalkanWeb, deputetët do të kalojnë edhe në analizë performance për punën e deritanishme në Kuvend, por gjithashtu do të ndahen edhe porositë për ta, lidhur me këtë sesion parlamentar, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

Më pas takimi do të fokusohet tek strategjia e re e komunikimit publik që duhet të ndjekin deputetët me zgjedhësit, ndërsa në fund do të jetë kreu i qeverisë, Rama, ai që do të japë mesazhin e tij. Mësohet se deputetët do të trajnohen sa i takon pjesës së komunikimit proces i cili do të drejtohet nga zyra e shtypit të PS me qëllim koordinimin e mesazheve dhe rritjen e komunikimit publik, edhe përmes rrjeteve sociale.

Socialistët synojnë të perfeksionojnë strategjinë e komunikimit me qëllim që mesazhet e përcjella prej tyre të përçohen me efikasitet, në përmbushje të objektivit të tyre madhor, fitores së mandatit të katërt, pranverën e ardhshme.

Nuk do të lihet jashtë vëmendjes as procesi i integrimit të vendit në BE. Majlinda Dhuka, kryenegociatorja do të informojë mazhorancën me ecurinë e procesit. Aderimi i vendit në familjen e madhe europiane kërkon ndërveprim të qeverisë me parlamentin në funksion të përafrimit të legjislacionit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb