(I përditësuar) TIRANË Kryeministri Rama e ka nisur me falenderime fjalimin e tij të fundit për vitin 2014, i cili zgjati plot 2 orë. Nuk la njeri pa përmendur, nisi me aleatat e bashkëpuntorët, përmendi Presidentin, por nuk i kurseu falenderimet edhe për opozitën. Nërsa në fund të fjalës 120 minutëshe ai uroi “Suksese, fat e dashuri”, për të gjithë.

“Posaçërisht falenderoj Ilir Metën që më ndihmoi pa u kursyer në përpjekjen për të rikthyer shtetin në detyre, krerët e grupeve, Rucin e Vasilin. Falederoj Prseidentin për përmirësimin e marrëdhënieve pas një dekade, kemi ende mosdakordësi por nuk do na pengojnë të punojmë së bashku, vendosëm një shembull të ri mes dy institucioneve”, tha Rama.

Duke kërkuar ndjesë për daljet e shpeshta publike, të cilat sipas Ramës kanë qëllimin e vetëm për transparencë ndaj publikut, kreu i qeverisë tha se, objektiv i tij është vetëm realizimi i reformave të premtuara për ndryshimin e vendit.

Rama u zotua se, “do ta përdor pushtetin për të bërë ndryshime dhe punët që nuk janë bërë në 20 vite. Nuk do zgjas qendrimin në pushtet duke u konsumuar nga pushteti deri në pikën që të bëhem si paraardhësi im, që iua solli në majë të hundës të gjithë shqiptarëve”

OPOZITA
Ndërsa duke u ndalur tek opozita, Rama u shpreh se me të duhet të kishin qënë më të duruar. Ai nuk nguroi të kërojë ndjesë për atë që e quajtu sjelle të vjetër ndaj opozitës, e shfaqur përmes shumicës.

“Duhet të kishim qënë më të duruar, nuk e zgjedhim ne opozitën, e kemi sado e mbrapshtë të jetë. Ky ka qënë viti më i mirë i një qeverie dhe një shumice në këtë drejmtim por nuk mjafton. Mandati na është dhënë që të punojmë përditë si forca shtytëse e të mirës së këtij populli. Ndjesë, kur përmes nesh është shfaqur sjellja e vjetër ndaj opozitës. Do kisha dashur të ishte e para në falenderimet e mia, por do ishte hipokrizi, jo se nuk na ka ndihmuar me çoriditjen e saj, bërtet por nuk merr seriozisht as vetë atë që thotë. Problemi i saj nuk është si po ecën Shqipëria, por thjesht humbja e pushtetit me të cilën nuk arrin të pajtohet. Mirëpresim çdo denoncim për të pastruar administratën shtetërore të mbërthyer nga korrupsioni dhe të mbërthyer deri në palcë, faleminderit për propagandën e padenjë ndaj policisë së shtetit pas operacionit në Lazarat”.

“Marrja e statusit të vendit kandidat në BE, nuk do të qe e mundur pa punën e kësaj qeverie dhe vendeve skeptike që u detyruan të vlerësojnë faktet për rezultatet e arritura gjatë këtij viti dhe një pune formidabël të bërë në kryeqytetet evropiane”, tha Kryeminsitri Rama.

Ndërsa nuk ka lënë pa falenderuar sa ambasadorin e SHBA-ve Aleksandër Arvizi në fund të mandatit të tij, Ram është shprehur se nuk është dakord me të kur thotë se Shqipëria duhet të ulë ritmin.

“Shqipëria vitin tjetër nuk duhet të ulë ritmin se punët e sotme i ka lënë për nesër, mjaft me këtë situatë, duke u kënaqur me pak dhe duke u varfëruar në aspirata”.

ENERGJIA
Operacionin për vjedhjen e energjisë elektrike, Rama e ka cilësuar si të suksesshëm dhe që pritet të thellohet në vitin 2015.

“Duhet të kishte nisur më herët dhe sot duhet të kishte arritur shumë më thellë”, tha ai.

Rama i kërkoi ndjesë të gjithë qytetarëve që e paguajnë energjinë elektrike dhe përballen me mungesën e saj, për shkak të ndërprerjeve nga defektet, moti i keq, etj.
“Ndjesë çdo qytetari që paguan dhe nuk merr furnizim të plotë, atyre që paguajnë dhe iu shkëputet energjia, çdo biznesi që ka pasur ndërprerje”.

Më tej, Rama u shpreh edhe njëherë se çmimi mesatar i energjisë elektrike është ulur.

Kryeminsitri Rama e cilësoi si veprim të guximshëm tarifimin e ri të energjisë. “Veprim i guximshëm sepse nuk kemi rritur çmimin e energjisë, por kemi hequr fashën. Rritje e cmimit të enrgjisë do të thotë rritje uniformë e çmimit, por kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi çmimi mesatar për të gjithë është ulur në 9.5 lekë. Rritja e çmimit që rezulton për një fashë të caktuar nga heqja e fashës mbrojtëse ka marrë adresimin e duhur moral, financiar të qeverisë pasi të gjitha këto kategori për të cilat është vendosur heqja e fashës janë marrë në mbrojtje nga qeveria dhe diferenca do të mbulohet nga buxheti i shtetit”, tha Kryeminsitri Rama.

Rama tha se, vitin e ardhshëm të gjitha bashkitë dhe komuant do të jenë të lira të japin leje ndërtimi për cilindo që do të dojë të ndërtojë apo të bëjë shtesë me leje.

LEGALIZIMET

Legalizuam më shumë ndërtime se sa ka bërë qeveria e kaluar në 8 vite. Kështu u shpreh Rama gjatë konferencës së fundvitit.
“E mbyllim vitin 2014 me 21 mijë legalizime falas të kryera nga prilli deri në dhjetor. Këto janë thuajse baraz me 8 vite të qeverisjes së demokrateve, kemi prishur e do vazhdojmë të prishim struktura pa leje, në trotuare, rrugë, çibane që i janë ngjitur nga pas lagjeve e rrugëve e që janë turp i pashembullt. Në prishjen e këtyre strukturave kemi qënë të qartë, prish për të siguruar përmirësimin e infrastrukturës. Të gjithë atyre që do u cënohet shtëpia kur cënohen projekte me interes kombëtar, apo zhvillimi brenda qyteteve do u vëmë në dispozicion qiranë për 2 vjet, e jo si ndodh te ndërtimet pa leje që ngrihen për qëllime fitimi, që do i prishim pa asnjë tërheqje”.
Rama u shpreh se aksioni për lirimin e hapsirave publike nga ndërtimet pa leje do vijojë edhe në 2015.
“Jam i vetëdijshëm që ka shqetësim dhe akuza që po preshim e nuk po ndreqim, në fakt e vërteta është se po prishim për të ndrequr, e kemi ndrequr shumëçka është prishur për vite e vite të tëra”, tha ai.

SIGURIMET SHOQERORE
Kryeministri paralajmëroi sot një aksion të ri që pritet të nisë në vitin 2015-të atë të sigurimeve shoqërore.
“Lajmeroj sot se janari do të nisë me një lajm shqetësues lidhur me sigurimet shoqërore, ka një gropë të madhe borxhesh, institucionesh buxhetore e jo buxhetore, borxhe që kapërcejnë 100 mln dollarë, ndaj pensioneve për para që të gjithë të punësuarit, ka edhe gazetarë plot, që kanë kontribuar por paratë kanë shkuar në drejtim të paditur. Nga janari hetim i thellë në institucione, janë mbi 1 mijë të tillë që kanë borxhe ndaj sigurimeve që nuk kanë garantuar pensionet e punonjësve të tyre”. tha Rama.

Përgjigjet për pyetjet e gazetarëve

21 Janari

Ne, si Qeveri bëjmë c’është e mundur për të lehtësuar rrugëtimin në jetë të fëmijëve të familjeve të viktimave. Sa i përket drejtësisë, unë vazhdoj të jem i bindur që drejtësia mbi 21 janarin do të vonojë, por nuk do të harrojë. Reforma në drejtësi do të ndihmojë edhe në këtë drejtim”, tha Rama.

Reforma në drejtësi
Besoj se vitin e ardhshëm do ta kemi reformën në drejtësi e për të cilën ne kërkojmë konsensus. Kur te jetë e mundur, po nuk mund të themi se këtë se bëmë dot.

Guvernatori i Ri
Kam qënë e mbetem i bindur se Shqipërisë do t’i bënte nder e mirë një guvernator i huaj, një të tillë do ta kemi, se qeveria ka kandidaturë për Këshillin Mbikqyrës një zonjë shqiptare me shtetesi gjermane. Ligji nuk do jetë pengesë që ajo zonjë që është përzgjedhur nga një konkurs që organizuam me 200 e ca kandidatura do të votohet si kandidatura e qeverisë, përsa i takon përzgjedhjes së presidentit, nuk ishte përzgjedhja jonë, por zgjedhja jonë ishte së bashku me Metën që në çështjen e guvernatorit duhet shmangur me çdo kusht një ngërc i natyrës institucionale dhe duhej plotësuar nevoja për të pasur një guvernator.

Bashkia e Tiranes
Ne nuk kemi filluar të bëjmë asnjë bashkëbisedim me Metën lidhur me këtë çështje e pastaj të ngremë grupet e punës për të identifikuar ata që do të përfaqësojnë aleancën tonë në zgjedhjet e ardhshme, do ta bëjme këtë në fillim të vitit që vjen, por nuk kemi asnjë merak lidhur me kandidaturat se besoj se në cdo njërën nga njësite vendore që do jenë 61, kemi më shumë se një mundësi për të zgjedhur, e duhet vetëm të bëjmë kujdes që të bëjmë zgjedhjen më të mirë.

Rama fton: Më pyesni, sot në 12:30 ju përgjigjem në TV e rrjetet sociale
Kryeministri Rama do t’i përgjigjet direkt sot para mediave, pyetjeve të dërguara nga qytetarët në rrjetet sociale, dërguar që nga data 22 dhjetor e në vazhdim, pasi ai hodhi ftesën në publik.

Në ftesën e 9 ditëve më parë e të rikujtuar herë pas here, Rama shkruante:” Të mërkurën, më 31 dhjetor, ora 12:30, konferenca e fundvitit LIVE në televizion, Twitter dhe Facebook. Dërgoni pyetjet që keni me hashtag ‪#‎PyetKryeministrin.

Ky ka qenë një vit i vështirë, i gjallë, i mbushur me sfida e përpjekje të mëdha. Le të bëjmë së bashku një bilanc të përmbledhur përmes bashkëbisedimit të fundvitit, ku do të mundohem t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve tuaja…,”- përfundon Rama.

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb