TIRANË – Kreu i Qeverisë Edi Rama u ka dhënë disa garanci sot, investitorëve të huaj në vend, i ftuar në takimin vjetor të shoqatës së tyre, për krijimin e një mjedisi biznesi “sa më të parashikueshëm edhe efikas.”

Nga ana tjetër, ai iu ka rikujtuar se me masat e marra nga Qeveria, shpreson shumë tek rishpërndarja e projekteve të kompanive të huaja nga Kombet e Bashkuara për vitin 2015, me qëllim që Shqipëria të jetë një përfituese më e madhe.

Kryeministri ka rideklaruar se Qeveria do të vazhdojë të shlyejë detyrimet e prapambetura dhe mbi të gjitha, po harton një legjislacion që nuk do të lejojë asnjë qeveri më pas të akumulojë borxhe ndaj biznesit. Po ashtu, ai i njohu ata edhe me dy projektligje të reja për investimet dhe turizmin, të gjitha me synimin për të krijuar një mjedis investimi të sigurtë.

Në kuadrin e risive, Rama tha se këtë javë do të mbledhë Këshillin Ekonomik Kombëtar, që do të hapë një kapitull të ri me aktorët ekonomikë në Shqipëri.

“ Viti që lamë pas krahëve ishte një vit me sfida të vështira edhe për komunitetin e biznesit, – tha Rama. – Shpresoj që ju shihni që Qeveria është më e besueshme dhe ende jo e shurdhët. Sepse ne duam të bashkëpunojmë për të mbajtur premtimet tona dhe për të siguruar një mjedis investimi në vend të parashikueshëm dhe efikas.

Së shpejti do të mbledhim Këshillin Ekonomik Kombëtar, hyrje e një kapitulli të parë me aktorët ekonomikë në Shqipëri, sepse do të përfaqësojë një seksion tjetër dhe bën thirrje edhe për investuesit që të angazhohen më shumë për të punuar me ne.”

Kryeministri premtoi se legjislacioni shqiptar do të bëjë që asnjë qeveri të mos krijojë më borxhe të prapambetura. “Në fillim të mandatit tonë, – tha ai,- ne gjetëm detyrime të prapambetura dhe gjoba politike, ndërkohë që tani ne jemi në gjendje të themi se po i shlyejmë dhe asnjë gjobë politike nuk kemi vënë mbi bizneset shqiptare apo të huaja.

Kemi dy projektligje të reja që do të miratohen së shpejti nga Parlamenti, njeri për investimet, tjetri për turizmin. Gjithashtu, do të jemi në gjendje t’ju japim një projekt krejt të ri për partneritetin publik-privat.

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për projektet mbi investimet e huaja në 2015-ën, tregon që shumë kompani do të ndajnë projektet e tyre në vende të ndryshme sipas avantazheve që ato ofrojnë dhe unë shpresoj shumë që ato ta shohin Shqipërinë në këtë rishpërndarje. Sidoqoftë, fjala kyçe është të flasim, të bashkëpunojmë dhe të urojmë një vit të një bashkëpunimi jashtëzakonisht të fryshëm, që nënkupton më shumë para dhe shpresoj më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit,” nënvizoi Kryeministri në fund të fjalës së tij.

(ar.sh/BalkanWeb)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb