Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën, gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke i cilësuar si maskaradë përplasjet e fundit në KZAZ-të e disa bashkive, pas dekretit të Presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve. Kreu i qeverisë ka deklaruar se kjo maskaradë e opozitës maksimumi mund të bllokojë çeljen e negociatave në tetor.

“Presim të çelim negociatat në tetor. Kjo maskaradë maksimumi mund të arrijë që kjo gjë të mos ndodhë. Por daljes para drejtësisë këta Haxhi Qamilë nuk i shpëtojnë dot, këtë do ta tregojë edhe filxhani i Qamil Haxhiut”, është shprehur Rama.

Më tej, kryeministri ka theksuar se ka ardhur koha që të merren në mbrojtje kafshët me katër këmbë, që sipas tij, janë të rrezikuar nga kafshët me dy këmbë e dy duar.

“Kemi parë në vazhdimësi akte barbare të kafshëve me dy duar e dy këmbë ndaj atyre me katër këmbë. Ka ardhur koha të marrim në mbrojtje kafshët që nuk e kanë dhuratë të folurit, nga ata që këtë dhuratë e përbuzin dhe mbi të gjitha turpërojnë gjithë shoqërinë tonë si kriminelë ndaj qenieve të tjera.

Nuk janë njerëz, por meritojnë të quhen njerëz, kundër atyre që emrin “njeri” e kanë thjesht dhe vetëm si kategori, por nuk e meritojnë. Kjo paketë s’ka lidhje me të majtë e të djathtë, apo me mandate, por me të ardhmen e vendit. Edhe pse ndahemi në shumë pika, bashkohemi në një pikë, çfarë është nevojë e përbashkët, është e mirë e përbashkët”, ka theksuar kryeministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb