TIRANE– Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një dëgjesë me prindër e mësues të shkollës 9-vjeçare “Jani Minga” në Vlorë, ku në fokus kanë qenë planet e bashkëhartuara me ta.

“Jetojmë në një kohë, ku falë teknologjisë dhe mundësisë, ku secili të ketë me vete një kamera, bëhen publike fenomene të sjelljes së papërshtatshme të mësuesve apo nxënësve, që kanë qenë gjithmonë të pranishëm, por tashmë bëhen publike”, tha Rama, duke shtuar se, “ajo që ne na takon është që të vëmë në publik të meta reale. Për këtë arsye do të ndërtojmë në shkollë një stacion të bashkëqeverisjes për të informuar në kohë reale për mbarëvajtjen në sistemin tonë arsimor”.

“Çdo drejtor shkolle duhet të zhvillojë takime me prindërit e ardhur rishtaz, të përcjellë në drejtorinë arsimore raportin e këtyre takimeve dhe sigurisht bashkë me rekomandimet dhe propozimet përkatëse për fuqizimin dhe rekomandimin në shkollë. Kjo në mënyrë që në fund të kemi një platformë të qartë të situatës dhe të kemi një platformë komunikimi me prindërit, që në kohë reale ta dimë se çfarë ndodh”, nënvizoi Rama.

“Mësuesit sot janë të mbrojtur. Ka mbaruar koha kur mësuesi largohej me parti. Ka ikur koha kur mësuesit hiqeshin si pasojë e akteve korruptive. Por, nuk ka mbaruar koha e abuzimeve. Tashmë portali “Mësues për Shqipërinë” nuk do të jetë më një angazhim qeveritar, por angazhim ligjor. Do të largojmë përfundimisht drejtorët e drejtorive të zyrave arsimore nga kontakti për të pasur lidhje me emërimin e mësuesve. Njësoj siç ndodh me regjistrimin në Universitete, ku automatikisht regjistrohen studentët që kanë fituar”, u shpreh kryeministri Rama.

“Kemi bërë testim të drejtorëve të shkollave dhe rreth 300 drejtorë të shkollave kanë dalë që duhet të largohen nga puna, pasi kanë dale më keq se mesatarja e mësuesve. Prandaj do t’u themi 300 mësuesve më të mirë të vendit që të emërohen si drejtorë. Por, kjo nuk do të thotë që drejtorat e tjerë janë në nivelin e kërkuar. Prandaj do çelim shkollën e drejtorëve të shkollave. Kjo nuk është një shpikje e jona, pasi e kanë edhe vende të tjera. Dhe ata do të mësojnë dhe do të mbrohen me ligj ashtu siç edhe mësuesit do të mbrohen me ligj”, theksoi Rama.

Ndërkohë, kryeministri u shpreh se ka kryer një inspektim tek stadiumi i Vlorës, ku theksoi se do të nisim punimet për rikonstruksionin e stadiumit, por tha, Rama, “nuk është fjala për të ndërtuar thjesht një stadium futbolli, por edhe një qendër sportive, një vend ku nxënësit të mund të kryejën aktivitet dhe ku stadiumet të mos jenë vetëm për tifozët, por për të gjithë qytetarët”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: