TIRANE – Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi një ceremoni të organizuar me stafet mjekësore të shërbimeve shëndetësore që kanë performuar më mirë gjatë këtij viti, për të bërë një pasqyrim të situatës së sistemit shëndetësor në vend. Shefi i qeverisë theksoi se shëndetësia nuk është sot aty ku duhet të ishte, por është padyshim shumë herë më mirë se më parë. Duke falënderuar ministrin Beqaj për punën e tij në krye të këtij dikasteri, kryeministri Rama tha se gjatë vitit që lamë pas është bërë më e mira e mundshme, në kushte aspak të favorshme.

“Nëse më kërkohet ti jap përgjigje pyetjes, a është sot sistemi shëndetësor më mirë se ishte, këtë përgjigje e jap pa asnjë të voglin dyshim që PO. Falenderoj ministrin për një drejtim absolutisht në rrugën e duhur të shëndetësisë dhe për një përkushtim të posaçëm pa orar, për të bërë bashkë me ju më të mirën e mundshme në kushte të pafavorshme. A është shëndetësia sot aty ku duam? Nuk themi dot PO. Buxheti i parë i yni, siç e dini i hartuar në kushte emergjence dhe në kushtet e një katrahure financiare ishte më i madhi për shëndetësinë në 10 vitet  fundit. 92% e borxheve janë shlyer. Në 2014 u realizua një furnizim i plotë dhe i vijueshëm i spitaleve me barna dhe materiale mjekësore. Sistemi ka filluar të funksionojë me probleme të mëdha, me ritme që ndryshojnë nga një shërbim në tjetrin, me mangësi ende të konsiderueshme, por me një pamje të qartë që tullat që po vendosen, por vendosen me rend dhe mbi bazën e një plani të qartë”- deklaroi kryeministri Rama.

Më tej shefi i qeverisë bëri të ditur se nga muaji janar do të hyjë në fuqi një sistem i ri për monitorimin e korrupsionit në shëndetësi.
“Eshtë një mekanizëm i thjeshtë përmes shërbimit të telefonisë celulare që merr nga çdo pacient, apo person që merr një shërbim dhe del nga spitali një opinion. Sistemi po testohet. Shprehja e atyre që sapo e kanë marrë shërbimin është shumë më inkurajuese se sa shërbimi. Për mua ka qenë shpresëdhënëse të lexoja të gjitha opinionet e shprehura nga qytetarët. Ka pasur edhe shprehje konsideratash me emër për mjekë apo infermiere që ju kanë shërbyer. Sistemi garanton privatësinë dhe nuk vendos në pozitë të vështirë askënd”- vijoi Rama.

Ndërkohë kryeministri paralajmëroi se shumë shpejt do të nisë testimi dhe kreditimi i profesionistëve të sistemit shëndetësor. Sipas tij, duhet të bëhet gjithçka që pacientëve tu jepet mundësia për të qenë në duar e duhura.

“Nuk do mbajmë në spital asnjë profesionist që nuk merr kreditet e duhura nga testimi. Ne duam që në shërbimin shëndetësor të jenë profesionistët më të mirë që ka vendi”- tha Rama.

Kryeministri theksoi se për të shkuar drejt shërbimit shëndetësor universal janë hedhur hapat e para, por duhet të përballohen ende disa sfida për të ecur më tej me hapa të rëndësishëm dhe themelorë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: