Kryeministri Edi Rama ka falënderuar dhe iu ka kërkuar publikisht ndjesë partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, pas mbylljes së procesit zgjedhor ë 30 qershorit.
Në një dalje për media pas mbylljes së votimit, kreu i qeverisë është ndalur edhe te ndërkombëtarët, duke thënë se u bënë objekt i sulmeve të turpshme të opozitës shqiptare.
Sipas tij, ata u kërcënuan dhe u sulmuan, por nuk u lëkundën në mbrojtje të demokracisë dhe lirisë së zgjedhjes, teksa dhanë një dorë në gjithë këtë betejë.
“Ishte një fitore e vështirë, sepse nuk luftuan kundërshtarë, por vetë sistemi ende i brishtë demokratik. Sot 30 qershori qe dukej sikur s’do vinte kurrë, po ikën paqësisht, duke marrë me vete ankthin, pasigurinë dhe kaosin institucional. Një faleminderit miqve dhe partnerëve, që u kërcënuan, por nuk u lëkundën në mbrojtje të demokracisë, lirisë së zgjedhjeve dhe të së drejtës për të zgjedhur.
Faleminderit SHBA, BE, Misionit të OSBE dhe çdokujt tjetër nga përfaqësuesit e nderuar të botës demokratike që dhanë një dorë në këtë betejë. Jo vetëm faleminderit, por edhe ndjesë, shumë ndjesë, miqve të huaj që u bënë objekt e sulmeve të turpshme. Me ato sulme na turpëruan të gjithëve, si vend, si popull, si njerëz. Pas pas hyn një ditë e re që e gjen Shqipërinë të çliruar nga makthi, por vjen e ngarkuar nga plagët që hija e marrëzisë ka lënë pas”, tha Rama.
(BalkanWeb)