Kryeministri Edi Rama prezantoi kandidatët për deputet të Partisë Socialiste në Berat, duke i bërë thirrje kryetarëve të bashkive që të mos ndërhyjnë në zgjedhje dhe të mos shprehin preferenca për kandidatët. Ai theksoi se të gjithë kryetarët e bashkive duhet të jenë në dispozicion të PS-së dhe numrit 5, që është i lidhur me këtë forcë politike në fletën e votimit.

Rama u shpreh se ai e pëlqen shumë numrin 5, duke e quajtur “tamam 5 me 1” dhe duke bërë një parashikim për fitore. “Dua t’ju them kryetarëve të bashkive, se duhet të jenë në dispozicion të PS-së. Duhet të jenë në dispozicion të numrit 5 dhe pesa më pëlqeu shumë sepse është tamam 5 me 1.”

Përsa i përket kandidaturave, Rama theksoi se kjo është një garë për përfaqësimin e zonave dhe jo për interesat e individëve të veçantë, duke shtuar: “Por, ju nuk duhet të ndërhyni në garë. Këtu nuk bëhet fjalë për një deputet të një zone apo një zone tjetër. Patjetër që janë zgjedhur sipas zonave për të patur një përfaqësi.”

Ai gjithashtu bëri batuta për deputetin Fadil Nasufi, duke e quajtur atë “maratonist” dhe jo “sprintier”.

Kryeministri përfundoi duke theksuar: “Kjo është arsyeja pse Fadili është këtu dhe ata që duket sikur e parakalojnë Fadilin në sprint, sepse Fadili dhe unë nuk jemi të sprintit, por të maratonave, por kur vjen puna të fitorja fitoj unë me Fadilin, jo ata të sprinteve. Kështu që është maratonë kjo.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: