Nga Londra ku mori pjesë në forumin për Ballkanin Perëndimor organizuar nga prestigjiozja “Financial Times”, kryeministri Edi Rama përdori ironinë kur foli për protestat e opozitës. Duke i quajtur atraksione turistike, Rama tha se protestat janë grumbullime nga një grup politikanësh dhe jo populli i vërtetë. Ai ftoi këdo që kërkon emocione të vijë në Shqipëri për të parë nga afër një protestë.


“Çfarë po ndodh nuk është populli në revoltë, por një sajesë politike dhe protestat mund të jenë pjesë e paketës tonë turistike dhe njerëzit mund të vijnë. Protestat bëhen si koncertet të shtunave në orën 8. Kështu nëse do të shikosh një protestë, mund të prenotosh një vend në një vend përreth dhe nuk është i gjithë vendi në flakë. Bëhet në bulevard, ato hedhin molotov, por nëse qëndron në distanca të arsyeshme e shijon dhe këto nuk i gjen në Europë”, tha Rama.


shefi i ekzekutivit tha se për Shqipërinë procesi integrimit europian është më i rëndësishëm se vetë anëtarësimi, pasi kjo periudhë shërben për të pasur institucione vërtet demokratike.
“Për ne procesi i integrimit europian ka të bëjë me ndërtimin e institucioneve, është një proces shtetndërtimi, për t’u lidhur me të ardhmen. Procesi i integrimit është më i rëndësishëm se vetë anëtarësimi, sepse është mekanizmi i vetëm, instrumenti i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për të ndërtuar një shtet funksional”, u shpreh kryeministri.


Rama sërish kritikoi BE kur tha se brenda saj ekzistojnë dyshime, madje ka vlerësime me dy standarde për Shqipërinë.
“Për me BE është maksimumi. Por nga ana tjetër ka shumë hipokrizi, ka shumë poshtërim, sepse gjithmonë është më pak se çfarë bëjmë ne dhe ka të bëjnë gjithmonë me dinamikat e brendshme në vendeve të ndryshme europiane. Ka të bëjë më pak me sa ne shkojnë drejt kritereve dhe më shumë me çdo në BE. Fakti është se përse raporti i Komisionit Europin u publikua në fund të muajit maj? Për shkak të zgjedhje europiane? Sepse nëse raporti do të dilte më parë, me rekomandim të qartë për ne, kjo do e bënte zonjën Le Pen më shumë energjike”, deklaroi ai.

Gjatë forumit me temë “Mundësia e investimit në një rajon me rritje të shpejtë”, kryeministri Rama nxiti biznesmenët britanike të investojnë në Shqipëri.


“Unë mendoj që potenciali ynë qëndron te bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal dhe jam shumë i bindur që, nëse tregohemi të zgjuar e të vendosur në forcimin e bashkëpunimit tonë rajonal dhe nëse hapim një kapitull të ri, thjesht duke e shndërruar këtë historinë dhe politikën obsesive të kufijve në një qasje të re dhe duke krijuar një zonë të re Shengen brenda Ballkanit Perëndimor e duke i transformuar kufijtë nga arsye për grindje e politika të ndezura në pika fluide takimi, pa dyshim do jemi më të hapur ndaj mundësive më të mëdha dhe do mund të eksplorojmë një pjesë të vlefshme të potencialit tonë të paprekur”, deklaroi Rama.

(BalkanWeb)