DURRËS – Kryeministri Rama ka përcjellë sot tre mesazhe nga Maminasi: Së pari, se Qeveria do të mbështesë fuqimisht, sipërmarrjet në zonat rurale dhe nuk do të subvencionojë më “lart e poshtë, fatura pa llogari”;

Së dyti, cilido që kërkon “naftën pa akcizë, ulje të tvsh-së për farërat, pesticidet etj.të bëjë vetëm një gjë: të ketë faturat në dorë;

Së treti, nëse ndonjë inspektor vendos “gjoba” në kurriz të këtyre sipërmarrësve, ata duhet të denoncohen jo në parim, por me emër e mbiemër.

Rama i bëri këto deklarata nga një biznes shqiptaro-amerikan në Maminas që merret me grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e bimëve medicinale aromatike dhe që është përfitues i skemës “Mbështetje 50% e investimit”.

Duke vizituar këtë biznes, Kryeministri tha: “Do të jetë një periudhë e ndërmjetme derisa të kalojë tek të gjithë mesazhi i politikës sonë të re për fshatin, për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, zhvillimin rural në tërësi, që është që ne e kemi mbyllur me lojën e subvencionimeve lart e poshtë, të faturave pa llogari dhe pa asnjë vlerë të shtuar për mbijetesë dhe korrupsion dhe kemi hapur një kapitull të ri.

Do të mbështesim rritjen dhe fuqizimin e sipërmarrjes në fshat, sepse duke mbështetur investime të tilla, ne rrisim në mënyrë eksponenciale, punësimin. Janë 2500 vende pune që garantohen me këtë investim, sepse ëhstë një investim i tërë dhe me këto investime në tërësi. Por nga ana tjetër, mesazhi është po ashtu i qartë: Kush do naftën pa akcizë, kush do ulje të tvsh-së për farërat, pesticidet e kështu me radhë, thjesht duhet të bëjë vetëm një gjë: të ketë faturat në dorë! Në momentin që ka faturat, i merr të gjitha këto. ne jemi tërësisht korrekt me të gjithë sektorin, sepse, çfarë jemi zotuar, e mbajmë, për këdo që i përgjigjet këtij kapitulli të ri.

Është një luftë e madhe në të gjitha frontet me një Shqipëri informale dhe banale, që u shtynë vite të tëra duke vjedhur vetveten dhe duke mos i dhënë krah atyre njerëzve që janë pararoja, siç është rasti konkret këtu.

Kemi dyfishuar financimin dhe vitin e ardhshëm do ta dyfishojmë për skemat, sepse duam të dyfishojmë punësimin në fshat.

Përsa i përket inspektorëve të tatimeve, ne e kemi ndryshuar 100% kahjen dhe ku ka sipërmarrje, zot i vendit është sipërmarrësi dhe kush troket tek dera, duhet të dijë si të sillet.Por, një gjë: Ju duhet të na ndihmoni, duke mos lejuar që njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me përpjekjen tonë të përbashkët, të hanë në kurrizin tuaj dhe në kurrizin e qytetarëve. Ju duhet t’i denonconi! Në ato raste ku ka pasur denoncime, automatikisht ata janë larguar.”

Duke iu drejtuar pronarit të biznesit që vizitoi, Rama i tha: “Luftërat parimore i bënit më parpara me Partinë Demokratike, kurse tani i kemi me emër e me mbiemër.”

PANARITI: SIPERMARRJA I JEP ZHVILLIM TE GJITHE SEKTORIT

“Jemi të fokusuar në mbështetjen e sipërmarrjes, sepse sipërmarrja jep zhvillim të të gjithë sektorit,”- tha nga ana e tij Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti. – I jep zhvillim gjithë fermerëve; i jep perspektivë zgjerimit të prodhimit, por natyrisht përfshin në këtë nismë një sërë faktorësh, duke filluar nga ata që transportojnë, ata që paketojnë, ata që ambalazhojnë.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: