SHKODËR- Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta në Shkodër edhe pse shkoi për të shpërndarë disa çertifikata legalizimesh. Banorët që jetojnë pranë stadiumit “Loro Boriçi” kanë dashur të përballen me kryeministrin Rama, për prishjen e banesave të tyre nga ndërtimi i parkingut të këtij stadiumi.

Me pankarta në duar, ata kanë dashur të protestojnë në momentin që kreu i qeverisë do të hynte në pallatin e sportit, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë.

Mësohet se blutë e Shkodrës janë përplasur me banorët dhe nuk i kanë lejuar këta të fundit të qëndrojnë pranë hyrjes së pallatit të sportit.

Gazetarja e News 24 në Shkodrës, Eljona Kodra raportoi se edhe pas largimit të banorëve nga pallati i sportit, një kordon police është vendosur përpara tij. Po aty ka pasur edhe 3 furgonë me forca të ndërhyrjes së shpejtë, policë civilë por edhe të Gardës. Ajo raportoi se në momentin që Rama hyri në pallatin e sportit nuk pati asnjë banor jashtë tij.

Por sipas saj, banorët e Shkodrës e kanë quajtur këtë një provokim, duke thënë se “Rama nuk ia del kështu më Shkodrën duke përdorur policinë”.

Kryeministri Rama është takuar me banorët e shqetësuar për prishjen e banesave të tyre, menjëherë pas aktivitetit në pallatin e sportit ku shpërndau rreth 800 certifikata legalizimesh.

Këta banorë nuk u lejuan të protestonin më herët ,gjatë kohës kur Rama mbërriti në Shkodër, por në një moment të dytë kryeministri u ndal të bisedojë me ta duke ju premtuar se më parë do bëhet shpronësimi pastaj prishja e ndërtesave që pengojnë realizimin e projektit.

“Do ketë ndërhyrje kur projekti të përmbushë parametrat. Hapësirat do lirohet për këtë qëllim, por do të bëhet në fillim shpronësimi, më pas ndërhyrja”.

Stadiumi “Loro Borici” në Shkodër është parashikuar ti nënshtrohet një rikonstruksioni siç ndodhi me stadiumin e Elbasanit.

800 LEGALIZIME NE SHKODER
Rama shkoderSipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshm e ALUIZNI-t, ‘janë 800 qytetarë në qytetin e Shkodrës, të cilët që sot do të kenë mundësi të gëzojnë shtëpitë e tyre, duke e kthyer atë në legjitime tashmë”.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama shpreh se, po bëhen legalizime në një zonë ku, në 8 vjet u bënë 1400 të tilla nga 21 mijë deklarime.

“Në 7 muaj kemi bërë një punë kolosale për familje që presin prej vitesh. Me ndarjen e re territoriale do jetë më e lehtë që ky proces të ecë përpara”, tha Kryeminstri Rama.

Ndërsa kreu i Aluiznit Artan Lame u shpreh se po punohet për legalizimin e zonës brenda qytetit.

VIZITA NE BAJZE, KU PERPUNOHEN BIMET MJEKESORE

bime mjekesore bajzeKryeministri Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti vizituan sot në Bajzë, qendrën e re të përpunimit të bimëve mjekësore me 22 punëtorë më shumë këtë vit dhe 5000 familje të përfshira në skemë.

Kryeministri tha në fjalën e tij se “ne do mbështesim fort, duke e nxitur sipërmarrjen, duke nxitur njerëzit që kanë ide, që kanë kurajo dhe që janë në gjendje të krijojnë cikle prodhimi dhe ku përfshihen pastaj shumë familje në lojë, pasi ajo që ndodhte deri dje ishte që edhe ata që prodhonin i hidhnin në lumë prodhimet, apo nuk arrinin dot t’i nxirrnin në treg.

Ndërkohë që sot, me këto pika referimi, që do t’i dyfishojmë vitin e ardhshëm, ne u japim mundësi të gjithë atyre që kanë prodhime të tilla nëpër duar, t’i mbledhin e t’i sjellin këtu. Ne duam të nxisim më tutje eksportin. Ky produkt ka sot 70% të tregut në SHBA, por nëse ne do të kultivojmë në karakteristikat që ka produkti autokton dhe nuk do ta përziejmë me farëra të tjera e me histori të tjera që kanë sjellë ulje të kërkesës ndaj nesh, atëherë ne do të kemi shumë më tepër kërkesë ndërkombëtare për këtë produkt. Ky është një vend që Zoti ia ka dhënë të gjitha, por robi nuk e ka lënë që të zhvillohet,” – u shpreh Kryeministri.


NE PIKEN E GRUMBULLIMIT TE GESHTENJAVE, KU PO EKSPORTOHET EDHE NE JAPONI E SHBA

geshtenjaMe mbështetjen e Qeverisë, nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, me një fond prej 150 milionë lekë, në Qarkun e Lezhës është ngritur një qendër e re, moderne, e grumbullimit dhe tharjes së gështenjave. Kjo pikë grumbullimi, më e madhja në Europë për nga kapaciteti, krahas tregut europian ka zgjeruar hartën e eksportit të gështenjës shqiptare edhe në vende të tjera si Japoni, Amerikë, etj..

Kryeministri Rama dhe Ministri Panariti vizituan këtë sipërmarrje dhe siguruan vijimin e mbështetjes deri në finalizimin e krijimit të ciklit të mbyllur.

“Ne jemi shumë të inkurajuar, – u shpreh Kryeministri, – sepse po shohim që fara e hedhur për nxitjen e zhvillimit të sipërmarrjes dhe të zhvillimit kapitalist në fshat ka filluar të mbijë. Këtu, sot kemi dëshmi konkrete se si nga hiçi, brenda 3 muajve është ngritur një pikë ultramoderne dhe sesi një njeri i zakonshëm i këtij vendi jep një shembull të jashtëzakonshëm për mundësinë e jashtëzakonshme që ka vendi ynë që përmes ideve, përmes vullnetit dhe përmes bashkëpunimit me të tjerët, të kalosh nga parazitizmi dhe papunësia tek vetëpunësimi dhe madje tek përfitimi i ndershëm.”

RAMA LE SHKODREN, VIZITON BULEVARDIN E RI TE LEZHES

Kryeministri Edi Rama ka lënë pas Shkodrës dhe është ndalur në Lezhë, ku ka ndjekur punimet për rehabilitimin e qendrës së qytetit dhe të bregut të Drinit.

Qendra e qytetit do të lidhet në mënyrë integrale edhe me lumin që përshkon qytetin, i cili me një fond prej 30 milionë lekë do të pësojë transformim tërësor urban, përgjatë të cilit do të ndërtohet aksi i pedonales, pista e biçikletave dhe hapësira e gjelbër.

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: