Pavarësisht se demokratët prtestojnë kundër tubimit elektoral të Partisë Socialiste, kryeministri i vendit Edi Rama iu dha atyre një mesazh të qartë. Ai u shpreh se ata mund të hidhen përpjetë, por qeveria dhe ai nuk ikin.

“Gjatë kësaj kohe duhet të përballemi me gjëra absurde, siç ishte djegia e shkollës këtu. Unë e qeveria jemi aty, ata le të hidhen përpjetë. Parlamentit është aty, ata ikën se lanë mandatet. Tani janë kujtuar, por është vonë. Ikën me festë e pastaj donin të hynin nga dritarja”,- tha Rama.


Duke folur për marrëveshjen e 17 Majit me Bashën, Rama tha se situata sot pas dy vitesh është më keq. “Sot dy vjet më pas është më keq se dy vjet më parë. A u mësua keq a se nuk bën dot ndryshe, por avazi është më keq se dy vjet më parë. Lepuri fle në barkun e frikës nga drejtësia. Ata kanë qënë kundër”,- tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se vendi ka rënë pre e planit të katërshes Meta, Berisha, Basha dhe Kryemadhi. Ai tha se përgjimet ishin skenar për të penguar hapjen e negociatave.
“Plani i tyre nuk ka lidhje me Shkodrën dhe as me të ardhmen. Plani i tyre është plani i 4 njerëzve, Ilirit, Berishës, Lulit dhe fallxhores të cilët janë në një hall të madh me drejtësinë që po vjen. nëse ne do të ishim, ose nëse unë do të isha njeriu që i do të gjitha pushtetet, dy vite më parë e kisha mundësinë të hyja në zgjedhje pa ata. Ikën nga parlamenti sepse nuk donin të votonin vettingun. E mbani mend se sa shumë i jam lut Bashës për t’u marrë vesh edhe kur SHBA dhe BE u dorëzuan. Nuk u nisa nga interesi i ngushtë dhe duke parë një hap më tutje por të paktën tre hapa më tutje dhe mendova se ishte koha për të sprovuar historinë e dhimbshme, duke i ofruar PD dhe kryetarit të saj gjithçka që ai kërkoi, gjysmën e qeverisë dhe jo atë me më pak peshë, por me më shumë peshë”,- vijoi Rama.

Sa për përgjimet, kryeministri u shpreh se ato nuk u hetuan për dy vite, po u mbajtën të fshehta me qëllim që të përdoreshin kundër Shqipërisë

“Nuk është rastësi që përgjimet e bëra në 2016 nuk u hetuan por u mbyllën në valixhe dhe i shkuan partisë e cila i ruajti për ditë të zeza. Ato muhabetet duhet ishin hetua nëse ka apo jo prova të ndëshkoheshin ata që e kanë kyer. Ato nuk dolën këtu por mes Gjermanisë që të krijojnë konfuzion dhe çoroditje, mes Europës aty ku merret vendimi për hapjen e negociatave për të ushqyer edhe më shumë helm ndaj Shqipërisë. Nuk është rastësi që dalin këto përpara protestës së radhës. A thua se shqiptarët janë dele që e hanë barin për përgjimet e piblikuara në Gjermani”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: