TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ditën e sotme disa nga reformat më të rëndësishme që qeveria synon të nisë në shtator të këtij viti. Një prej tyre është reforma tek ujësjellësat, në mënyrë që të shmangen abuzimet, lidhjet e paligjshme, si dhe të garantohet furnizimi me ujë të pijshëm. Një tjetër reformë sipas kryeministrit Rama do të jetë reforma kundër informalitetit, ku do të ketë operacion frontal në dogana, tatime, e sigurime. Këto deklarata kryeministri Rama i ka bërë gjatë konferencës “Mbështetja e zhvillimit ekonomik”, ku ka folur edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Në shtator do të vijojmë me reforma të rëndësishme. Do realizojmë reformën e ujit, në mënyrë që sistemi i ujësjellësit jo vetëm të garantojë furnizim me ujë, por edhe të mbajë vetveten. Po kështu do të mundësohet vaditja e tokave bujqësore. Do të ketë reforma kundër informalitetit, do të shtrëngojmë më shumë masat penale, dhe nuk do lejohet puna në të zezë. Do realizohet operacion frontal në dogana, tatime, e sigurime”, tha Rama.

Duke u ndalur tek situata ekonomike në vend, kryeministri Rama tha se qeveria që ai drejton ka realizuar një sërë reformash për të përmirësuar disa sektorë, ndërsa ka përmendur edhe ndërhyrjet që parashikohen në vijim.

“Kemi punuar me ekspertë të rinj për të futur në binarë sektorin e ekonomisë. Ne nuk duhet të lejojmë që të na cënojë një krizë energjetikë. Pati momente në ekonominë e vendit ku u vu re një shterim i dërgesave të emigrantëve.

Ndërhyrje pozitive do të ketë padyshim edhe në sektorin minerar. 200 leje minerare do të revokohen, dhe do po përgatitet plani i mbylljes së zonës së rrezikshme.

Po kështu edhe në sektorin e turizmit janë bërë dëmtime të mëdha, me ndërtime pa leje. Po ndërhyjmë për normalizimin e situatës, dhe rritjen e numrit të turistëve në vend.

Në vëmendje kemi padyshim sektorin e bujqësisë. Kemi financua për 20 vjet iluzionet dhe jo zhvillimit. Masat e marra nuk kanë shkruar në vendin e duhur, nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara. Por tashmë jemi në një situatë të re, jo se kemi arritur aty ku duam të arrijmë, por jemi në pikën kur mund të shohim me më shumë qartësi sfidat, dhe rezultatet që presim të shohim nga realizimi i përpjekjeve tona”, tha kryeministri Rama.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: