TIRANE- Kryeministri Edi Rama përveç ‘kritikave’ që u drejtoi diplomatëve tanë që na përfaqësojnë në botë, dha dhe një lajm të mirë për ta, ndërsa theksoi se për ta do të ketë rritje rroge. Gjatë një takimi në Ministrinë e Jashtme, kreu i qeverisë shqiptare pohoi se tashmë ka ardhur koha që diferenca e rrogave mes vendeve të rajonit, të ngushtohet.

Mes të tjerash ai paralajmëroi se ka ende diplomatë që i cilësoi delenxhinj. Me ironi ai pohoi se nuk do që të kaloj tek shoferët, duke i etiketuar si ‘timonierë allçakë’.

“Për një vend të vogël si Shqipëria me një hall të parrëfyeshëm për të rifituar kohën e humbur, diplomacia jonë klasike (e jona nuk është klasike) nuk mund të jetë një opsion që ne mund të pajtohemi. Ne pajtohemi se me angazhimet tona nuk mund të kalohen me një notë verbale apo duke justifikuar rrogën më një artikull. Do çlirohemi nga prangat e diplomacisë. Ne nuk na duhen diplomatë që zgjohen nga gjumi dhe shkojnë për të fjetur. Nuk na ndihmojnë asgjëkundi diplomatë që ke dëshirë ti harrosh sapo ke kthyer shpinën, pasi kur je me ta ke një sëkëlldi se mos të shohin. Në këto 4 vite është bërë goxha pastrim nga parazitët, përveç arsyes për të shërbyer me dinjitet. Por ende kemi diplomatë delenxhinj dhe parazitë. Unë ju ftoj të ngrini zërin tuaj në ministri. Nuk po zbres tek shoferët e ambasadorëve, të cilët mund ti quaj timonierë allçak. Shqipëria që po ndërtojmë ka nevoje për njerëz që duan dhe dinë të flasin dhe që dinë të bëjnë miq. Ne nuk duhet të shesim një imazh të rremë, por kemi të drejtën të themi se duhet të paraqesim më të mirën tonë”, tha Rama.

Mes të tjerash ai shtoi se: “Duhet qartësi, përkushtim, disiplinë dhe një nivel tjetër organizimi mes shërbimit të jashtëm, kësaj ministrie dhe ministrive të tjera të zhvillimit në vend. Duhet të jeni të gjithë të bindur që unë e njoh volumin e madh të punës që ka shërbimi i jashtëm. Ka ende shumë për të bërë deri kur kjo pjesë kaq sensitive të kalojë tërësisht online. Nuk ka diskutim se rruga është e duhura, rezultatet janë inkurajuese. As nuk diskutohet që ne do të bëjmë më shumë për të garantuar mundësi dhe kushte dinjitoze në punën dhe jetesën tuaj. U kam kërkuar ekspertëve tanë që të paraqesin disa skenarë të rritjes së kontributit financiar për ju. Diferenca e madhe e pagave mes nesh dhe vendeve të rajonit ka ardhur koha të ngushtohet dhe brenda këtij mandati të zerohet”.
(ed.me/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb