VLORE- Kryeministri Edi Rama siguroi sot, gjatë një vizite në qytetin e Vlorës se, vitin e ardhshëm do të përfundojë By Pass-i i qytetit, ndërsa do të nisë puna edhe për vijën bregdetare të Vlorës me një gjatësi prej rreth 3.9 km dhe me një vlerë 20 milionë dollarë.
Kryeministri Rama inspektoi sot, disa nga projektet e ndërmarra nga qeveria në qytetin e Vlorës, ndërsa prezantoi edhe nismat e tjera që do të ndërmerren në këtë qytet.
Rama theksoi se në 47 projekte të ndërmarra nga qeveria për vitin 2014 në të gjitha qytetet e vendit, 7 prej tyre i përkasin Bashkisë së Vlorës.
Mes projekteve konkrete, Rama u ndal në atë të portit të Vlorës dhe By pass-it që siç nënvizoi ai, do të konkretizohet vitin e ardhshëm, pasi janë siguruar financimet prej 55 milionë eurosh.
Projekt tjetër i parashikuar nga qeveria është edhe zgjerimi i zonës së vijës bregdetare nga porti deri në Ujin e Ftohtë si dhe gjelbërimi i kësaj zone.
“Së pari janë 47 projekte që i përkasin vitit 2014, ku vetëm Bashkia e Vlorës ka 7 të tilla. Njëra pjesë janë me financim të huaj dhe të tjerat të brendshëm. Një nga projektet është porti i Vlorës. Një projekt tjetër është By Pass-i i Vlorës që do konkretizohet vitin e ardhshëm, pasi janë siguruar financimet prej 55 milionë euro. Do fillojë puna për vijën bregdetare të Vlorës me një gjatësi 3.9 km, me një vlerë 20 milionë dollarë. Një projekt tjetër është zgjerimi i zonës së vijës bregdetare nga porti deri në Ujin e Ftohtë. Është në proces tenderimi. Po me financim të qeverisë është edhe gjelbërimi i vijës bregdetare të qytetit”, tha Rama.
Më tej shefi i qeverisë shqiptare, tha se ka nisur rehabilitimi i lagjes “Kushtrimi” si dhe rehabilitimi i rrugës së spitalit.
Po ashtu, me një financim prej 13 milionë eurosh nga Banka Gjermane do të ketë një projekt studimi për ujërat e ndotura në qytetin bregdetar. Rama nënvizoi se 7 milionë dollarë të tjera do të shkojnë për përfundimin e Landfildit për menaxhimin e mbetjeve të ngurta.
“Ka filluar rehabilitimi i lagjes “Kushtrimi” me ndriçim dhe park lojërash. Një tjetër projekt është edhe financimi i rrugës së spitalit. Do ketë një projekt studimi për ujërat e ndotura në Vlorë me një investim prej 13 milionë euro nga Banka Gjermane. Gjithashtu 7 milionë dollarë i shkojnë Landfildit për menaxhimin e mbetjeve të ngurta,” tha ai.
Kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe në aksionin për prishjen e ndërtimeve pa lejen në të gjithë vendin. Sa i përket Vlorës, Rama tha se prishja e ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare është në një fazë të avancuar.
Kryeministri u shpreh se është parashikuar edhe puna për harmonizimin e vijës bregdetare nga porti në Pyllin e Sodës, ku siç theksoi ai, synohet që të ndërtohet një stadium me të gjitha standardet.
“Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje ka vijuar përgjatë gjithë vijës bregdetare. Në këtë pjesë jemi të avancuar. Ndërkohë kemi filluar edhe punën për të harmonizuar për fazën e dytë të vijës bregdetare nga porti në Pyllin e Sodës ku përfshihet edhe synimi për ndërtimin e një stadiumi me gjithë standardet evropiane”, tha Rama.
Duke u ndalur te reforma territoriale, kryeministri u shpreh se harta e re me 61 njësi vendore, i jep një zhvillim të ri dhe tërësor Vlorës, veçanërisht në bujqësi. Në projekt, Rama nënvizoi se është edhe rregullimi i lumit të Vlorës. Po ashtu, kryeministri tha se vitin e ardhshëm do të nisë puna e rrugës transballkanike me autostradën.
“Reforma territoriale i jep zhvillim bujqësisë dhe jo vetëm. Në projekt është edhe rregullimi i lumit të Vlorës. Në kuadër të programit të rrugëve dytësore rurale në 2015 do të fillojë puna e rrugës transballkanike me autostradën”, tha kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: