* Rama në “Twitter” pas takimit: Me Netanyahun diskutuam shumë tema

* Netanyahu: Mirënjohje për kontributin në shpëtimin e hebrenjve, nuk i harrojmë kurrë miqtë

IZRAEL- Kryeministri Rama u prit sot, në selinë e qeverisë në Jerusalem, nga Kryeministri Benjamin Netanyahu, ku për mbi dy orë u diskutua për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimit në fusha të interesit reciprok, me theks në energji dhe në sektorin e ujit. Në fokus ishte edhe rritja e ndërveprimit në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj ekstremizmit të dhunshëm, në mbrojtje të vlerave dhe popujt tanë nga ky kërcënim.

“Është një nder i madh i madh për mua dhe një privilegj që të jem këtu si kryeministër i Shqipërisë. Ju jam mirënjohës për ftesën. Ashtu siç edhe ju e thatë zoti kryeministër, ky vit shënon 25 vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike, por miqësia jonë është e bazuar në një histori fantastike të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë luftës së pushtimit nazist, dhe ne jemi krenarë që kemi qenë një vend ku asnjë hebre nuk ra në duart dhe nazistëve dhe ku ata gjetën strehë dhe mbështetjeje mes shqiptarëve të feve të ndryshme. Ka shumë histori të familjeve myslimane në Shqipëri të cilat morën në mbrojte familjet hebreje.

Gjithashtu ndihem shumë i nderuar sepse jemi këtu të nënshkruajmë deklaratën e miqësisë, në një moment kur marrëdhëniet tona kanë nevojë të forcohen , kjo edhe për shkak të sfidave të përbashkëta. Ne jemi shumë të qartë dhe të prerë në qëndrimin tonë ndaj terrorizmit dhe akteve ekstreme të dhunës.

Së fundmi ne kemi themeluar në Shqipëri një qendër rajonale për të ndaluar ekstremizmin e dhunshëm dhe ne jemi të vendosur të punojmë së bashku me ju, përkrah popullit izraelit për të mbrojtur vlerat tona dhe njerëzit tanë nga rreziku i terrorizmit dhe i çdo forme tjetër te ekstremizmit, në një vend i cili është krenar për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare.

Në fund, por jo e fundit ne jemi shumë të lumtur që së bashku të parashikojmë një rritje të bashkëpunimit tregtar, një rritje të bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Përsa i përket ujit, i tregova ministrit se dy vendet tona janë shembulli më i mirë i asaj se vendet ndryshojnë jo nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë të bëjnë. Ju nuk keni burime ujore, por e keni menaxhuar më së mirë. Ndërsa ne kemi shumë pasuri ujore, por nuk jemi më të mirët në përfitimet prej saj. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe ju faleminderit për këtë mundësi të madhe, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Netanyahu nënvizoi miqësinë midis dy popujve, e cila ka spikatur veçanërisht në periudha kyçe të historisë dhe i shprehu Kryeministrit mirënjohjen ndaj popullit shqiptar për kontributin në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ne nuk i harrojmë kurrë miqtë”, u shpreh Kryeministri Netahyahu, gjatë prononcimit të përbashkët pas takimit, duke vënë në dukje se Shqipëria ishte i vetmi vend që kishte më shumë henre gjatë Luftës së Dytë Botërore, se më parë, duke vënë në dukje se Shqipëria ishte i vetmi vend që kishte më shumë henre gjatë Luftës së Dytë Botërore, se më parë.

“Gjatë holokaustit, Shqipëria mbrojti hebrenjtë, duke refuzuar t’ua dorëzonte nazistëve”, tha Netanjahu.

“Kryeministër Rama, mirëserdhët në Jerusalem. Jemi shumë të lumtur që ju takojmë. Ne e dimë se Shqipëria është mike e mirë e Izraelit. Ne celebrojmë 25 vjet marrëdhënie, dhe e dimë populli shqiptar nuk është ngushtësisht i lidhur me popullin izraelit sot, por gjate një periudhës së vështire të Holokaustit, shqiptarët kanë qëndruar krah më krah me popullin hebre që u persekutua në Europë.

Unë mendoj se Shqipëria është vendi i vetëm ku popullata hebre u rrit për shkak të refugjatëve, dhe falë miqësisë që populli shqiptar tregoi. Dhe ne nuk i harrojmë kurrë miqtë tanë, dhe vlerësojmë ndjenjën e njerëzimit dhe qytetërimit dhe kurajën që treguat gjatë kohës sonë më të zymtë.

Ndaj dhe është kënaqësi e veçantë për mua që sot të zgjerojmë marrëdhëniet në shumë fusha konkrete, të cilat mbulojnë një spektër shumë të gjerë, mbulojnë tregtinë, investimet, industrinë, ujin. Ne kemi të gjithë nevojë për ujë që të jetojmë, dhe Izraeli ka eksperiencë në fushën e burimeve ujore; ato mbulojnë gjithashtu çështjen e sigurisë, e cila përfshin dhe shqetëson vendet anë e mbanë. Sot terrorizmi na kërcënon të gjithëve. Izraeli lufton kundër terrorizmit përditë dhe nuk e ul asnjëherë vëmendjen. Por besoj se popujt sot i kuptojnë gjithnjë e më shumë se problemet e sigurisë ndërkombëtare janë të ndërlidhura. Kërcënimi terrorist është ndaj kujtdo, ai është në nivel ndërkombëtar, ndaj dhe përgjigjja duhet të jetë e tillë. Këto janë disa nga argumentet e diskutimeve. Gjithashtu, do të firmosim disa marrëveshje për të përforcuar dhe pasqyruar miqësinë tonë, dhe me këtë frymë miqësie unë Kryeministër Rama ju uroj mirëseardhjen në Jeruzalem”, tha kryeministri izraelit.

Kjo vizitë celebron edhe 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Takimi mes dy Kryeministrave dhe delegacioneve respektive konkludoi me nënshkrimin e Deklaratës së Miqësisë mes dy vendeve, ku shprehet angazhimi i mëtejshëm mes dy vendeve për të thelluar marrëdhëniet në të gjitha fushat me interes reciprok, por sidomos në atë të sigurisë, përfshirë sigurinë energjetike, luftës kundër terrorizmit, krimit kibernetik, si dhe në energji, bujqësi, kulturë, turizëm dhe arsim. Kjo deklaratë synon të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si edhe i hap rrugën negociatave për Marrëveshjen e eliminimit të taksimit të dyfishtë.

Gjithashtu u nënshkruan edhe:

– Marrëveshja në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, ku palët angazhohen të nxisin shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit mbi tema që lidhen me shëndetësinë në fusha me interes të përbashkët;

– Memorandum Bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Yad Vashem, Autoriteti i Përkujtimit të Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit, për të bashkëpunuar në promovimin e edukimit dhe përkujtimit të Holokaustit.

Gjatë vizitës dy ditore në Izrael, kryeministri Rama do të pritet në takim edhe nga Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin.
RAMA NË TWITTER PAS TAKIMIT ME KRYEMINISTRIN E IZRAELIT: ME NETANYAHUN DISKUTUAM SHUMË TEMA
Kryeministri Edi Rama është shprehur se me homologun izraelit kanë diskutuar disa tema me rëndësi. Në përfundim të takimit me kryeministrin Netaniahu, i cili zgjat rreth dy orë, Rama ka shkruar në profilin e tij në “Twitter” se u diskutua për tema me interes reciprok.

“Në Jerusalem pas takimit me kryeministrin Netaniahu ku përreth dy orë u ndalëm në çdo temë të interesit reciprok”, shkruan kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb