Kryeministri Edi Rama tha në një lidhje me “Skype” për emisionin “Real Story”, në News24, se për momentin nuk do të ketë një paketë tjetër ndihme, pasi shumica e bizneseve kanë rifilluar aktivitetin.
Kryeministri sqaroi se mbase do të duhet një paketë tjetër ndihme për bizneset, që cilësohen si të rrezikshëm për përhapjen e koronavirusit, dhe nuk do të hapen, si lokalet, baret, restorantet, parukeritë.
Pjesë nga intervista:
Zaloshnja: Mbi 80% e shqiptarëve vlerësojnë masat, por vetëm 29% mendojnë se qeveria ka bërë mjaft me ndihmat për ta.
Rama: Ne kemi bërë sondazhin tonë drejtpërdrejt me grupe interesi dhe na rezulton se e vlerësojnë përpjekjen tonë, dhe thonë se është përpjekje dinjitoze, edhe pse nuk është mjaft. Dua të them se përveç bonusit 40 mijë lekë, pjesa më e madhe janë kthyer në punë. Edhe taksistët sot kanë marrë pagën, edhe pse janë në punë, dhe do të marrin edhe dy paga të tjera. Mendoj se asnjë paketë në këtë situatë nuk është mjaft, por të dyja paketat kanë qenë arsyeshëm dhe një shumë e konsiderueshme, që ndamë për ata më në nevojë.
Zaloshnja: Pra, ju nuk do të keni paketë të tretë?
Rama: Unë nuk e thashë këtë. Nëse dikush vjen e më thotë kur mbaron kjo situatë, unë do të them sa paketa do të ketë. Ne nuk po përballemi me një mur, por me një armik, që nuk e shohim. Ne jemi të përgatitur, sepse restorantet, baret, klubet, janë një pjesë e biznesit të vogël, me të cilët nuk e dimë si do të vazhdojmë me ta dhe kur do të duhet të hapen plotësisht, ndaj dhe mbase do të na duhet t’i ndihmojmë prapë.
Zaloshnja: Pra, në të ardhmen e afërt nuk do të kemi një paketë?
Rama: Nuk do të kemi dhe nuk ka arsye të kemi. Individët e ndihmuar nga paketat janë kthyer në punë.
Gjekmarkaj: Jam dakord me masat shtrënguese, por ka pafund probleme. Një sondazh i tillë më fyen inteligjencën. Edhe Enver Hoxhës po t’ia çoje këtë sondazh, do të habitej. Masat kanë sjellë një sërë komplikacionesh. Sondazhi është propagandë e pastër. Shifra më lë pa fjalë, të thuash që 87% vlerësojnë masat.
Dëgjova një fishkëllimë, është e vërtetë që ka ardhur nga Zaho?
Rama: Po, Zahos i kërkova të më sillte një shishe ujë.
(BalkanWeb)