TIRANE – Në konferencën e fundvitit, kryeministri Rama pranoi se brenda maxhorancës nuk po gjendet dakordësia për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të TVSH-së.

Ndërsa theksoi rëndësinë që Televizioni Publik Shqiptar t’i nënshtrohet një reformimi rrënjësor, kryeministri tha se përgjegjësia dhe kritika për gjendjen e TVSH-së sot duhet ti shkojë kësaj shumice qeverisëse.

“TVSH është sot struktura më e prapambetur, por njëkohësisht dhe më e paguar e botës së medias. Televizione me shumë më pak para, më pak investime, me më pak njerëz bëjnë audiencë shumë më të lartë. Nuk ka asnjë përgjegjësi dhe asnjë arsye që unë të kritikoj askënd në atë strukturë, për sa kohë përgjegjësia dhe kritika duhet ti shkojë drejtpërdrejt kësaj shumice qeverisëse, dhe po të doni dhe mua bashkë me bashkëkryetarin. Kemi votuar një ligj absurd, për një konsensus absurd për të drejtuar një ndërmarrje publike që ka një mision shumë të madh, informimin e publikut, bazuar tek interesi i publikut dhe jo tek interesi komercial. Këtu nuk gjejmë dot drejtorin e televizionit, sikur po zgjedhim sekretarin e OKB-së, Ban Ki Moon.”-tha Rama.

Sipas shefit të qeverisë, dy janë rrugët për ti dhënë zgjidhje problemit të TVSH-së, ose të arrihet dakordësia, ose të ndryshohet ligji.

“Nuk kemi dashur të hyjmë tek ligji, i kemi votat, kemi detyrimin për ta bërë, sepse kemi dëshiruar ta kërkojmë këtë konsensus deri përtej arsyes. Nuk e kemi gjetur 2 vjet e gjysmë. Atëherë ka dy rrugë, ose të biem dakord dhe ti japim zgjidhje këtij problemi, ose të ndryshojmë ligjin. Ne nuk do presim përtej janarit. Skam ë kohë. TVSH kërkon një reformë rrënjësore, njësoj si hipotekat, njësoj si ALUIZNI.”- tha Rama.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: