* Rama: Nuk ka rritje taksash për tregtarët, mos lejoni të përdoreni nga mashtruesit ordinerë

TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk është tërhequr nga propozimi i projektligjit për shpifjen, duke theksuar edhe një herë ai përfshin vetëm te zgjedhur me votë nga qytetarët dhe funksionarët e lartë që keqpërdorin kompetencat e tyre. Në një deklaratë për mediat në përfundim të takimit të krerëve të koalicionit qeveritar, Rama theksoi se nuk do të ketë asnjë nismë për të cënuar lirinë e shtypit në vend.

“Nisma ka lidhjen vetëm me një gjë, që ata që paguhen nga taksat e shqiptarëve si të zgjedhur apo si funksionarë të lartë nuk mund të përdorin votat e popullit për të shpifur. Ndjesa ime që e përsëris ta dëgjojë kushdo, ndër njerëzit e shtypit që meriton respekt se ka të tillë, kurrë nuk do të cënohet asgjë për çka ka të bëjë me fushën e lirisë së tyre. Sa i përket lirisë së atyre që shpifin e janë mësuar të bëjnë atë që bëjnë, nuk do t’u lihet mangut”, tha Rama.

RAMA: NUK KA RRITJE TAKSASH PËR TREGTARËT, MOS LEJONI TË PËRDORENI NGA MASHTRUESIT ORDINERË
Kryeministri Rama ka reaguar edhe për protestën e zhvilluar ditën e sotme nga tregtarët kundër masave të qeverisë anti informalitetit. Duke theksuar se nuk do të ketë rritje të taksave për ta, Rama u ka kërkuar që të mos lejojnë që të përdoren nga “gënjeshtarët e mashtruesit”.

“Sa i takon protestës së tregtarëve, dua t’ju them mos u përdorni, mos u abuzoni dhe mos lejoni që gënjeshtarë dhe mashtrues ordinerë t’ju përdorin duke ju thënë se ju vjen një e keqe e madhe nga ligji për procedurat tatimore. E kundërta është e vërtetë. Ne e kemi thënë se për tregtarët do të ketë një lehtësim të veprimtarisë së tyre që do të rezultojë me përfitim edhe financiar për ta. Kjo vetëm që nuk do të ketë rritje taksash për ta, por do të ketë ndryshim rrënjësor të regjimit fiskal për ta, në favor të tyre”, theksoi kryeministri.

Rama tha se Qeveria parashikon forcim të linjës së reformave, si dhe theksoi edhe njëherë vijimin e punës për angazhimet e koalicionit për përmirësimin e situatës në vend.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: