Ish-Presidenti Bamir Topi ka bërë përgjegjëse totalisht politikën për situatën e rëndë, në të cilën ndodhet vendi. I ftuar në emisionin “Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa, në News24, ish-Presidenti Topi tha se dy partitë më përgjegjëse janë PS dhe PD.

“Politika është përgjegjëse padyshim! Dhe politika nuk janë njerëzit, janë institucionet, ku të parat përgjegjëse janë partitë kryesore, PS e para, PD e dyta. PD, sepse gjithmonë instrumenti i kontrollit në mazhorancë është opozita. Rama është inekzistent në këtë periudhë”, tha Topi.

Ndërsa i pyetur për kërkesën e vazhdueshme të opozitës për zgjedhje të parakohshme, Bamir Topi u përgjigj po me pyetje, teksa hodhi dyshime nëse vetë opozita është vërtet gati për zgjedhje.

“Fakti që palët nuk janë në fushën e lojës, dikush ka zaptuar fushën, pasi parlamenti sot dominohet nga mazhoranca. A është opozita gati për zgjedhje të parakohshme? Çdo pyetje e bërë pas, e nxjerr të pasinqertë pyetjen që është bërë para. Raporti mes opozitës dhe qeverisë më duket një marrëdhënie në ajër, pasi kryeministri nuk ngopet, sepse kjo lloj sjellje e opozitës ka bërë që faktorët ndërkombëtarë, që nuk pranojë kurrsesi braktisjen e institucioneve, të mos e konsiderojnë më dhe i japin suport kryeministrit aktual.

Në një vend tjetër nuk do të kishte shans që një kryeministër të mos ngopet. Këtu është cenuar në themel historia e demokracisë, asgjë nuk shkon mirë. Le të dalin njerëzit në protestë, se do jem një nga ato zëra që do i mbështes fort, por asnjë nuk del. Duhet të dalin njerëzit dhe opozita. Rasti i studentëve ishte për t’u marrë shembull, të gjithë politikanët e patën frikë”, deklaroi ish-Presidenti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb