TIRANË-. Shqiptarët do të pajisen me sahatë të parapaguar të energjisë elektrike, sahatët më të avancuar të kohës, me qëllim që të mos kenë më probleme as me kompanitë e energjisë, as me shtetin.

Lajmin e bëri të ditur sot kreu i Qeverisë Edi Rama, gjatë konferencës “Rimëkëmbja energjitike” në Tiranë, në të cilën ishin mbledhur drejtues të sistemit elektro-energjitik shqiptar si dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, që udhëheq operacionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.

“Ne do të fusim teknologjinë më të avancuar që të mos humbë asnjë pikë drite, teknologji që ka dhënë sukses në vende të tjera dhe kemi vendosur ta bëjmë pjesë të sistemit tonë, – tha Rama.- Jo vetëm që një konsumator të parapaguajë energjinë, pa shkuar, por me telefon, të kërkojë sasinë e energjisë që do të konsumojë. Në momentin që ajo mbaron, ai paguan kuotën tjetër. T’i japim fund historisë se njerëzit janë në emigracion dhe janë debitorë prej 20 vjetësh. Do të fillojmë që këtë vit dhe do të vëmë 1 milion sahatë.

Sahati gjerman nuk vrapon kur ikën gjermani me pushime”, – tha me ironi ai, – por këta sahatë inteligjentë janë për shoqëri si ne që do t’i vëmë në dispozicion të konsumatorëve. Dua t’u them shqiptarëve se në harkun e 5 viteve, duke filluar nga ky vit, do të shohin sesi do të ndryshojë situata energjitike dhe gjithë marrëdhënia ndërmjet konsumatorit dhe sahatit e distributorit. ”

Në fjalën e tij, Rama nxori dhe përgjegjësit e krizës energjitike, për të cilën ai tha se ajo e ka emrin “injorancë” dhe konsideroi shkaktar të të saj, keq-qeverisjen e Partisë Demokratike gjatë tetë vjetëve.

“Në vitin 2006, pas ristrukturimit, OSHEE-ja nuk kishte asnjë borxh, – tha Rama, – por deri në 2013-ën, borxhi arriti në 1 miliardë USD. Rritja e borxhit të OSHEE-s veçanërisht në 10 muajt e fundit të 2013-ës, është tregues i asaj si katandisesh nëse e kthen pushtetin në qëllim në vetvete e nëse për të mbajtur pushtetin shet të ardhmen e atdheut tënd,”- theksoi ai.

Duke u ndalur tek reforma në sistemin e energjisë, Rama premtoi se qeveria nuk do të sprapset asnjë centimetër në këtë luftë.

“Nuk janë të varfëritë hajdutët por ata që kanë e që fshihen për vite të tëra pas të varfërve. Nuk ka si ndodh përndryshe që paguesit më të rregullt janë pensionistët dhe PAK, me mbi 90%. Vetëm në Policinë e Shtetit në momentin e operacionit nga 10 mijë mbi 5 mijë ishin debitorë. Niseshin për të kapur të tjetër dhe vetë i kishin borxhe kompanisë. Vetëm në dhjetor nga kthimi në binar i ligjit dhe arsyes i borxhlinjve brenda administratës janë gjeneruar 6,6 milionë dollarë. Iu bëj apel kush ka mbetur të lajnë borxhet deri më 28 shkurt një orë e më parë, sepse nuk do të ketë asnjë milimetër kthim mbara, ky operacion nuk është fushatë, as aksion është lufta për jeta a vdekje e Shqipërisë për të qënë ose ajo që duhet, ose katandia që na lanë për turp ata, të cilët falë virtytit të demokracisë kanë mundësi të flasin, por nuk kanë mundësi të na ndalojnë as edhe një milimetër”.

Kryeministri Rama kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që e paguajnë energjinë elektrike për ndërprerjet dhe problemet e herëpashershme me energjinë elektrike, ndërsa tha se në 80% të rrjetit nuk është investuar në 40 vitet e fundit.

“Ne iu shërbejmë interesave kombëtarë dhe të publikut të qytetarëve që në 8 vjet u futën në kategorinë e budallenjve, Kush pagoi energjinë në 8 vjet u ndje si të ishte kokrra e budallait. I mirëkuptoj ata qytetarë që thonë dakord, unë po e paguaj po si t’ja bëj që fatura nuk vjen në rregull, që sahati vrapon më shpejt se korenti për të ardhur në shtëpinë time, që shërbimi ndaj meje është mizerabël, që edhe në prag të Vitit të Ri duhet të ndez qiriun se më ikin dritat. Të më mirëkuptojnë, pasi ka 40 vjet që nuk është bërë asnjë investim në 80% të rrjetit. Është njësoj si të marrësh bukë të papaguar dhe të kërkosh të kesh bukë edhe kur fusha e grurit të mos ketë më grurë”.

Kryeministri mbajti një fjalim në konferencën “Rimëkëmbja energjitike”, organizuar në Tiranë në praninë e drejtuesve të sektorit elektro-energjitik shqiptar dhe ku ishte i ftuar edhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili po udhëheq operacionin për prerjen e lidhjeve të paligjshme në vend.

“Nuk ka krizë energjitike, ka vetëm krizë të injorancës,”- tha Kryeministri duke cituar Richard Fyler.- Injorancë politike, qeverisëse, administrative, injorancë burimesh njerëzore dhe në fund, edhe shoqërore, si rezultat i të gjendurit në një mjedis pa rregulla,pa përgjegjësi e përgjegjshmëri qeverisjeje.

Dhe për ta ilustruar këtë fakt, që ka një peshë kaq të madhe për një vend si vendi ynë, kaq i pasur me burime energjitike e natyrore, dua të ndaj me ju këtë fakt: Në vitin 2006 u bë një ristrukturim i sektorit dhe ajo që sot quhet OSHEE-ja, Kompania e Shpërndarjes, u pastrua nga të gjitha borxhet. Në vitin 2006, OSHEE-ja e nisi punën e vet me zero borxhe dhe deri në 2013, shtatë vjet qeverisje të PD-së, borxhi kapërceu 1 miliardë USD.

Vetëm në dhjetë muaj të 2013-ës, kur u kalua nga administrimi i privatëve në administrimin e marrë në dorë nga qeverisja e shkuar, borxhi shkoi nga 720 milionë në 920 milionë, borxhi i brendshëm, përfshirë edhe pjesën tjetër në formën e borxheve ndaj të tretëve, që u rrumbullakos në mbi 1 miliardë.

Çfarë është kjo tjetër përveçse injorancë politike?! Përkthyer, në injorancë shoqërore. Asgjë tjetër nuk është. Këta 10 muaj, kur vjedhja u rrit, janë tregues i asaj si katandisesh nëse e kthen pushtetin në qëllim në vetvete e nëse për të mbajtur pushtetin shet të ardhmen e atdheut tënd. Në 80% të tij, rrjeti energjitik ka një moshë të vjetër dhe shqiptarët e panë vetë kur moti u rëndua dhe u cenua rrjeti i shpërndarjes.”

GJIKNURI: SISTEMI ENERGJITIK U KTHYE NGA SPIRALJA E FALIMENTIT
Ministri i Energjitikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri deklaroi të mërkurën se, qeveria ka një program të qartë për zhvillimin e sektorit energjitik, ku pas kthimit nga spiralja e falimentit, e cila po rrezikonte stabilitetin e kësaj qeverisje, i hapëm rrugën investimeve në këtë sektor, duke mbyllur edhe arbitrazhin me kompaninë ceke CEZ. “Arritëm t’i hapim rrugën investimeve në këtë sektor. Asnjë investitor nuk kishte besim të investonte në sektorin elektroenergjitik. Nuk është aksion i përkohshëm, por sjellje e vazhdueshme”, deklaroi ministri Gjiknuri, në aktivitetin “Rimëkëmbja energjitike – Rezultatet e vitit 2014”, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Ministri Gjiknuri, duke komentuar edhe çmimin e ri të energjisë elektrike, tha se është spekulim përcaktimi i çmimit të ri të energjisë si tarifë fiskale. “Shteti ka për detyrë të mbrojë konsumatorin në nevojë, por shteti duhet t’i sigurojë vendit burime të mjaftueshme energjie për të përballur nevojat e rëndësishme të rritjes ekonomike të shoqërisë që po zhvillohet dhe gjithë investimeve potenciale që e presin vendin. Ndryshe gënjehemi, vihemi në një gjendje përgjumjeje, për t’u zgjuar më vonë, për të parë se situata është shumë më e rëndë se sa u propogandua nga ajo superfuqia e famshme energjitike”, deklaroi Gjiknuri.

Kreu i MEI-it, Gjiknuri tha se, qeveria angazhohet që në 4 vitet e ardhshme të ketë programin më intensiv të investimeve në këtë sektor, investime aq të nevojshme për të patur qëndrueshmërinë energjitike e për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.
Ministri foli edhe për modelin e ri të tregut që do të aplikohet me ligjin e ri të sektorit të energjisë elektrike, ku fillon liberalizimi i tregut të energjisë. Ne besojmë, tha ai, që në vitin 2018, 40 % e tregut të jetë liberalizuar dhe konsumatori i tregut industrial të sigurojë vetë energjinë. “Ne jemi të vendosur për të vijuar me këto politika dhe kemi plan të qartë dhe vullnet për të shkuar drejt objektivave”, deklaroi Gjiknuri.

TAHIRI: ME NE FUND, E KTHYEM TIMONIN DREJT LIGJIT

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në fjalën e tij, bëri të ditur se më aksionin e nisur për të ndërprerë lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, u ndëshkuan edhe të paprekshmit, siç i quajti ai punonjësit e policisë dhe të OSHEE-së që nuk paguanin energjinë elektrike.

“S’do ketë më as punonjës policie dhe as të OSHEE-s që pretendojnë t’ju shërbejnë qytetarëve pa qenë qytetarë të rregullt vetë në radhë të parë. Kemi fituar zbatimin e ligjit nga ata që deri dje quheshin të paprekshëm. S’ka policë më që zaptojnë prona e nuk paguajnë energjinë. Këto janë ndryshime të mëdha e radikale që edhe më kritikët i njohin”, tha ai.

Sipas Tahirit, “Kryeministri dhe qeveria kthyen timonin për të vendosur këto standarde.” Ai foli më tej për 744 persona të arrestuar, ndërsa shtoi se aksioni nuk do të ndalet me kaq. “Nuk do ndalemi mes të arrestuarve janë mbi 60 punonjës të OSHEE-s, këta janë “partia” e të arrestuarve që në publik thuhej se ishin të varfër”.

RIMËKËMBJA, ÇELA: FALË OPERACIONIT NIVEL REKORD ARKËTIMESH

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Ardian Çela deklaroi se në muajt e fundit të vitit 2014, veçanërisht në dhjetor, arkëtimet nga faturat e energjisë elektrike arritën një nivel rekord falë operacionit të përbashkët Polici – OSHEE për të ndërprerë lidhjet e paligjshme. Këto deklarata ai i bëri në aktivitetin “Rimëkëmbja energjetike” dhe rezultatet e arritura na vitin 2014.

Sipas Çelës në 2013 ka pasur humbje dramatike në rrjet, ndërsa në 2014 situata ndryshoi falë operacionit të nisur.

“Ka më pak humbje në rrjet si pasojë e operacionit për energjinë elektrike. U rritën arkëtimet, 6,7 miliardë lekë në muajin dhjetor, kjo një shifër rekord”.

Ai premtoi se OSHEE do angazhohet duke reduktuar më tej humbjet në rrjet, për të kthyer ligjshmërinë dhe rritur më tek arkëtimet.

“Ristrukturim OSHEE, do riformohet kujdesi ndaj klientit, do jemi më afër qytetarëve më eficentë për të kthyer përgjigje shqetësimeve dhe ankesave të tyre. Çdo ditë pranë tyre me shërbime cilësore”, deklaroi ai.

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb