TIRANË- Pas ‘furtunës’ që solli shkarkimi i Saimir Tahirit nga Ministria e Brendshme dhe lëvizjet e paralajmëruara sot për 3 ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, kryeministri Edi Rama thyen publikisht heshtjen, ndërsa jep dhe arsyet e këtij vendimi.

Ashtu siç paralajmëroi më herët, kreu i ekzekutivit vendosi të argumentoi vendimet e ndërmarra këtë fundjavë aspak të qetë për politikën në komunikimin javor, ritual që e bën çdo javë në rrjetin social ‘Facebook’. Rama nuk kurseu as ironitë dhe mesazhet adresuar PD-së, ndërsa pohoi publikisht se 4 ministrat largohen nga puna pas kontributit të tyre. Ai komplimentoi dhe punën 4 ministrave; Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi dhe Ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi.

“24 orët e fundit keni dëgjuar shume lloj teorish konspirative për ndryshimet ne Qeveri. Tani dua tua shpjegoj unë si qëndron çështja e këtyre ndryshimeve. Së pari këto ndryshime nuk kanë asnjë lidhje me shfaqjet elektorale që jepen një orë paradite dhe një orë pasditen studion televizive që është instaluar poshtë zyrës time. S’kanë lidhje ndryshimet as me deputetët e PD që bëjnë edhe turne nate me grafik për të ruajtur studion dhe turfullojnë me njëri tjetrin për pagesat e figurantëve të cilët mezi po i mbledhin për të duartrokitur liderin që nuk e kanë. S’kanë lidhej ndryshimet as me muzikën që mbush çadrën bosh gjatë gjithë ditës megjithëse për të qenë i sinqertë është një muzikë nën nivelin mesatar të klubeve të natës.”, theksoi ai.

Nga ana tjetër kryeministri konfirmoi se ministrat e shkarkuar janë vetëm nga radhët e PS-së, duke argumentuar se kjo lëvizje bëhet për fushatën elektorale të selisë rozë dhe jo si kërkesë e aleatit të tij në qeveri, Ilir Meta.

“Së dyti ndryshimet janë politike dhe ministrat e ministret që do i votojë Presidentit për dekretim do jenë të katërt nga radhët e PS. Së treti ndryshimet nuk nxiten nga retorikat apo rezervat për punën e 4 ministrave të cilët largohen me konsideratën time më pozitive për punën dhe kontributin e tyre në rrugën e vështirë të reformimit e transformimit të vendit në këto 3 vite ë gjysmë përpjekje për të bërë shtet. Filloj nga Saimit Tahiri, kampioni jonë në Policinë e Shtetit që u kthye në institucionin më të besuar, sipas të njëjtit anketim. Edhe Klosi, i cli e çoi përpara me përkushtim stafetën e marrë nga Erion Veliaj. Më tej me Ilir Beqajn, i cili u godit pa pushim nga akuzat e shpifjes së opozitës, mbështetur dhe ushqyer nga lobet farmaceutike që humbën nga sistemi i tyre korruptim në sistemi e shëndetësisë, ku padyshim ministri bëri ndryshime që 3 vite e gjysmë më parë as mund të mendoheshin. Dhe në fund, por jo për nga rëndësia me Bledi Çuçin, i cili bashkë me Bashkim Finon udhëhoqi reformën territoriale. Së katërti, ndryshimet nuk lidhen me ndonjë kërkesë të bashkëkryetarit të koalicionit, Ilir Meta. Ai ka respektuar dhe mbështetur rolin tim kushtueses si kryeministër, në caktimin dhe lirimin e ministrave pa asnjë dallim. Së pesti, këto ndryshime nuk reflektojnë asgjë tjetër përveç domosdoshmëri, që udhëheqësit tanë politikë të fushatës të furnizohen me energji të reja pranë njerëzve në përballimin e punës së jashtëzakonshme. Duke nisur nga Tiiana, ku Saimir Tahiri është kryetar i PS-së, dhe ambicia jonë është që të ngrihemi mbi rezultatin e fitores shembullore të 2013.”, bëri të ditur Rama.

Sakaq, Rama nuk la pa përgjigje as sulmet e opozitës, e cila prej 18 shkurtit është hedhur në protestë, ku kërkon dorëheqjen e tij dhe krijimin e qeverisë teknike. Ai pohoi ironikisht se karvani do të shkojë përpara, ndërsa muzika le të vazhdojë.

“U bëj sot thirrje gjithë socialistëve, lidershipit dhe anëtarëve të PS, që të ngrihen në këmbë, të shkojnë derë më derë pa pushim për të hapur siparin e një beteje të re për Shqipërinë e gjeneratës së re. Muzika le të vazhdojë, karvani do shkojë përpara.”, përfundoi komunikimin e tij javor Rama.

Në mbledhjen e sotme me koordinatorët e qarqeve në PS, Rama iu komunikoi shkarkimi Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor Bledi Çuçi dhe Ministrit të Mirëqenies Sociale Blendi Klosi.
[fbvideo link=”https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154554822846523/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]
(ed.me/d.d/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb