Kryeministri Edi Rama ishte sot në Qendrën e Urgjencës Kombëtare, ku tha se është modernizuar shërbimi në këtë qendër. Kreu i qeverisë solli në vëmendje rastin e tërmetit të 21 shtatorit me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter, duke thënë se në Urgjencë janë regjistruar 160 thirrje të trajtuara dhe kanë marrë ndihmë në kohë reale 120 qytetarë të dëmtuar.

“Për të gjithë ata që kanë pasur nevojën e Urgjencës Kombëtare, në këtë fazë transformimi epokal, asnjë nga fjalët që u tha sot nuk bie në tokë, vetëm pak orë pas tërmetit të 21 shtatorit, janë regjistruar në kompjuterët e Urgjencës 1600 thirrje të trajtuara dhe kanë marrë ndihmë në kohë reale 128 qytetarë të dëmtuar në Tiranë e Durrës. Diçka që vetëm pak vite më parë do të ishte e pamendueshme dhe jo më e realizueshme, sepse pak vite më parë Urgjenca mjekësore e kishte të pamundur të trajtonte më shumë se tre raste në të njëjtën kohë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë foli për një reformë në shërbimin shëndetësor shqiptar, që sipas tij, do të garantojë një mbajtje dhe përdorim efikas të çdo leku të investuar në këtë sektor. Ndër të tjera, Rama premtoi se brenda vitit 2021 do të jenë vënë në përdorim edhe 55 autoambulanca të reja, që do të mbulojnë me katër rrota shërbimin në të gjithë territorin e Shqipërisë. Gjithashtu, kryeministri shtoi se Urgjenca Kombëtare nuk do të shërbejë vetëm për t’iu dhënë ndihmë njerëzve në nevojë, por edhe si një vend ku të denoncohen të gjitha rastet e korrupsionit në shëndetësi.

“Sot stafi i Urgjencës është jo vetëm i mbështetur dhe dinjitoz, por edhe i mirëpërgatitur për të përballuar çdo gjë. Ne duhet të vazhdojmë plotësimin e flotës sonë të autoambulancave, që është sot më aktive, por ka ende mangësi. Na duhen edhe 55 autoambulanca të reja, që të kemi të mbuluar me katër rrota të gjithë nevojën për shërbim në Republikën e Shqipërisë. Për këtë arsye, më 2020 do të bëhen të gjitha procedurat, që brenda vitit 2021 kjo çështje do të jetë e mbyllur.

Së shpejti do bëhet dhe një reformë tjetër, që do të garantojë një mbajtje dhe përdorim efikas të çdo leku të investuar. Jemi shumë të vetëdijshëm edhe për faktin se përtej punës, përtej shërbimeve dhe efekteve pozitive në jetën e njerëzve, në Shqipëri kryhen 50 mijë operacione çdo vit, dhe po të përfshijmë edhe lindjet e ndërhyrjet kirurgjikale, shkojnë në 90 mijë. 50 mijë njerëz hyjnë në thikë në Shqipëri. Është koha të mendojmë që në sistemin tonë të Urgjencës të fusim edhe pjesën, që shërbimi i Urgjencës të mos jetë thjesht një shërbim për personat në nevojë, por edhe një pikë referimi për të denoncuar rastet e referimeve jashtë spitalit, rastet e recetave që shko blij këtu, e shko atje, kur ilaçet janë në spital. Ky është një hap lehtësisht i bëshëm, që numri i Urgjencës i drejtohet strukturave spitalore”, u shpreh ai.

Më tej, kryeministri bëri një krahasim të asaj, që sipas tij, ndodhte me shërbimin e Urgjencës Kombëtare dhe të ndryshimeve që ka pësuar ky shërbim vitet e fundit.

“Pak vite më parë, për të marrë kontakt me Urgjencën Mjekësore duhet të prisje deri në pafundësi, që të ngrinin telefonin, për shkak se ishin vetëm tre linja që funksiononin. Sot ky shërbim është një nga historitë më domethënëse të transformimit të shërimit shëndetësor në Shqipëri, një transformimi që vazhdon, që ka nevojë ende për kohë dhe patjetër edhe për durim për të përmbushur atë që kemi thënë, ciklin e krijimit të një situate normaliteti për të synuar pastaj një cikël të dytë, ekselencën, në disa nga drejtimet jetësore të këtij shërbimi. Sot Qendra Kombëtare e Urgjencës në Shqipëri është njëlloj, pa asnjë dallim, nga qendrat e urgjencave në Evropë. Ka një sistem digjital, të lidhur me një ekran, ku shfaqet në kohë reale gjithë veprimtaria e shërbimit në gjithë hartën e Shqipërisë.

Është fakt, jo opinion, që falë këtij transformimi janë mesatarisht 1000 jetë, që shpëtohen më shumë se në të shkuarën, për rastet e rënda të urgjencave. Natyrisht, 1000 jetët e shpëtuara nuk bëjnë lajm, por një jetë e humbur po. Më keq akoma një gënjeshtër bën lajm dhe bën bujë, në këtë kohë që po jetojmë, ku ajo shprehja popullore që “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta akoma s’ka veshur pantallonat”, është kthyer në një të vërtetë të hidhur të shpejtësisë marramendëse të gënjeshtrës.

Të gjitha fjalët që thuhen sot këtu tingëllojnë normale me eksperiencën e atyre familjeve me njerëz në nevojë që i janë drejtuar Qendrës së Urgjencës, por mund të tingëllojnë si përralla për ata që nuk kanë pasur nevojën e urgjencës.

Sot pothuajse gjysma e tërësisë së nevojës për të marrë shërbim urgjence kryhet në banesë, deri dje çdo njeri në nevojë për një shërbim urgjence përplasej në dyert e urgjencës me mjete të rastit. Në rastin më të rrallë në shtëpi të vinte një ambulancë e lodhur, pra nuk kemi pas urgjencë në Shqipëri, por vetëm një shërbim taksi të lodhur. Sot, thuajse gjysma e nevojave përballohet në shtëpi nga stafet, që nuk janë më si ushtarë të çarmatosur, që vijnë vërdallë rrugëve, por janë të pajisur për ta kryer shërbimin emergjent në banesë. Kjo ka sjellë rritjen e jetëve të shpëtuara.

Investimi i bërë për shërbimin kombëtar të urgjencës është më i madh e të gjitha fondet e shpenzuara për investime, vjedhje, në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku. Vetëm vitin e fundit i janë shtuar këtij shërbimi 37 autoambulanca të reja, me aparatura moderne shpëtuese dhe me staf të trajnuar në vazhdim. Më 2019, 100 autoambulanca të shpërndara janë të gjitha të pajisura me sisteme moderne, me kapacitete për të përballuar shërbimin në banesë. Sot, qendra Kombëtare përpunon 1200 thirrje çdo ditë, nuk ka një person që të marrë në telefon dhe të mos ketë përgjigjen në sekondë dhe të mos jetë dot i identifikueshëm në pikën e thirrjes, në zonën ku ndodhet. Sot për herë të parë zhvillohen misione ajri me helikopter nga Urgjenca Kombëtare si pjesë normale e veprimtarisë së saj, ndërkohë që helikopterët ishin privilegj i një grupi njerëzish”, deklaroi kryeministri.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb