TIRANE- Muzeu Arkeologjik i Durrësit, do të ofrohet së shpejti për vizitorët vendas dhe të huaj, si një thesar tërësisht i rehabilituar. Kryeministri Edi Rama, pa nga afër mjediset e Muzeut, si dhe ecurinë e punës që po bëhet aktualisht për muzealizimin e tij.

Ndërkohë kryeministri Rama ndau me ndjekësit e tij në FB, dy foto të objekteve arkeologjike që janë pjesë e këtij muzeu. “Pas 20 vjetësh rrënim deri në mbyllje e braktisje po ridel në dritë thesari fantastik arkeologjik i Durrësit”, ka shkruar kryeministri.

Prej katër vitesh Muzeu arkeologjik i Durrësit qëndron i mbyllur, ndonëse në vitin 2010, për rikonstruksionin e tij u akordua një fond prej 1 milion e 200 mijë dollarësh, më të cilin nuk u bë asgjë.

Me iniciativën e Ministrisë së Kulturës, në fund të vitit të kaluar, në koordinim dhe bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës, drejtorinë rajonale, si dhe Bashkinë e Durrësit, u bë e mundur mbyllja e punimeve të rikonstruksionit dhe nisja e punimeve për muzealizimin, i cili përfshin restaurimin e objekteve arkeologjike dhe ekspozimin e tyre.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se me një fond tepër modest ka filluar restaurimi i të gjitha objekteve që nuk ishin prekur që nga vitet 1950, kur është bërë gërmimi i tyre, të cilat do të paraqiten për publikun në kushtet më optimale të ekspozimit. “Më shumë se 2400 objekte do të ekspozohen në ndriçim modern, me ekspozitorë krejt të rinj, punuar dhe drejtuar nga specialistët tanë”, tha Kumbaro

Ndërsa Drejtoresha e muzealizimit Edlira Çaushi, informoi se Laboratori për konservimin e objekteve arkeologjike është zhvendosur që prej muajit mars në mjediset e Muzeut dhe se shumë shpejt pritet të hapet kati i parë i Muzeut.

Ministrja bëri të ditur se vënia në funksionim e muzeut arkeologjik do të ecë paralelisht me punimet për amfiteatrin e Durrësit, i cili gjithashtu i është nënshtruar restaurimit. “Muzeu do të jetë një nga atraksionet e rëndësishme sepse do të jetë pjesë e një itinerari që po ndërtojmë me amfiteatrin e Durrësit, i cili dhe ai i është nënshtruar një restaurimi dhe ndriçimi të ri dhe do të vazhdojmë me rehabilitimin e arenës së brendshme,” sqaroi ministrja Kumbaro.

Në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, është bërë rikualifikimi i hapësirës së jashtme të Muzeut, përsa i përket kanalizimeve, drenazhimit dhe ndriçimit të saj.

Duke e vlerësuar Muzeun, si një prej aseteve më të mëdha të qytetit të Durrësit, kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, tha se Bashkia ka ofruar angazhimin maksimal për ta shndërruar atë një destinacion të rëndësishëm kulturor për turistët e vizitorët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb