Shefi i qeverisë shqiptare Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane Corriere della Sera pas protestës së opozitës që solli dhe një sulm ndaj Kryeministrisë nga demonstruesit.

Në intervistë për Corriere Rama thotë se nuk do të japë dorëheqjen dhe nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Për sa i përket protestës, ai thotë se rezultati i vetëm ishte shkatërrimi i një vepre arti në formën e kërpudhës. Në lidhje me korrupsionin, Rama shprehet: “Ne po çojmë para një reformë që largon magjistratët dhe gjykatësit e korruptuar nga drejtësia”.

SHKRIMI I PLOTË

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe lideri i Partisë Socialiste nuk i mohon problemet që ka vendi. Korrupsioni, për shembull ekziston. Ashtu si ekzistojnë gjykime të drejtuara me tingujt e ryshfeteve. Pakënaqësia e një brezi të rinjsh. Dhe trafiku i drogës. “Por qeveria ime po bën atë që askush tjetër nuk ka pasur guximin të bëjë për të eliminuar këto të këqija nga shoqëria”, thotë ai në një intervistë me Corriere.

Kryeministër, organizatat ndërkombëtare theksojnë nivelin shqetësues të korrupsionit në Shqipëri…
Që në Shqipëri ka korrupsion as nuk diskutohet. Ekziston dhe është një problem. Por mund të them gjithashtu se kjo qeveri po bën çmos për ta çrrënjosur atë.

Po, por ju keni qenë kreu i qeverisë për pesë vjet e gjysmë?
Më lejoni t’ju them se jemi të përkushtuar maksimalisht për reformën e drejtësisë: si kurrë më parë ne po luftojmë korrupsionin dhe po punojmë për ta bërë administratën publike imune ndaj ryshfeteve.

Po ia dilni?
Është e qartë se është një luftë e gjatë: rezultatet nuk mund të vijnë menjëherë.

Të dhënat makroekonomike tregojnë se papunësia po bie, madje edhe tek të rinjtë. Por në mesin e të rinjve ka pakënaqësi …
Sot, Shqipëria tregon të dhëna shumë pozitive, mjafton të lexoni shifrat e Bankës Botërore. Kjo nuk do të thotë që ne kemi zeruar papunësinë apo kemi zgjidhur problemet e të rinjve, por kjo do të thotë që ne jemi në rrugën e duhur.

Dhe pastaj është plaga e gjyqtarëve që japin vendime të një lloj natyre në këmbim të ryshfeteve. Çfarë po bëni?
Atë që askush nuk e ka pasur guximin të bëjë në vendin tonë dhe në Ballkan, atë që thekson edhe Bashkimi Evropian. Ne po kryejmë një reformë që i heq magjistratët dhe gjykatësit e korruptuar nga gjykatat.

Një tjetër problem është trafiku i drogës që vazhdon të jetë i përhapur në pjesë të ndryshme të vendit…
Nuk mund ta mohoj. Por vetëm pak ditë më parë Guardia di Finanza prezantoi raportin e vitit 2018 mbi luftën kundër kanabisit në Shqipëri dhe rezultatet janë spektakolare për sa i përket fenomenit që po luftohet nga qeveria ime.

Protesta e studentëve disa javë më parë ju bëri të ndryshoni disa ministra të ekzekutivit tuaj. Kjo do të thotë se ai manifestim ishte i ndjeshëm?
Ishte një sfidë e sinqertë, ku studentët denonconin probleme reale. Për këtë arsye i dëgjuam dhe u përpoqëm të pranonim kritikat e tyre.

Demonstrata e së shtunës dhe tentativa e sulmit në ndërtesën e qeverisë kanë bërë xhiron e botës. Çfarë po ndodh atëherë në Shqipëri?
Asgjë nuk po ndodh. Ka, nëse ka ndonjë gjë, një krizë të thellë të opozitës që nuk është në gjendje të sfidojë qeverinë politikisht. Kjo pakicë është më e dobët në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017: nëse do të shkonim në zgjedhje nesër do të merrte më pak vota.

Por opozita – e udhëhequr nga Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike (qendra e djathtë) – ka lëshuar ndaj jush akuzave shumë të rënda: mashtrime zgjedhore, korrupsion. Ai thotë se ju jeni të lidhur me krimin e organizuar…
As nuk i përgjigjem këtyre akuzave. Unë jam i shqetësuar vetëm sepse kjo politikë e hedhjes së baltës nuk i ndihmon ata dhe as vendin. Shpresoj që sa më shpejt që të jetë e mundur, arsyeja të kthehen të mbizotërojë mbi dëshpërimin.

Opozita kërkon dorëheqjen tuaj. Ju çfarë keni ndërmend të bëni?
As që më shkon në mend. Unë kam marrë një mandat të qartë nga populli, kemi një shumicë të qartë në Parlament dhe në fund kam një detyrim ndaj bashkëkombësve të mi. Nuk jam i detyruar t’i nënshtrohem kërkesave të pakicës parlamentare. Detyrimi i vetëm është kontrata me popullin shqiptar që na dha votën për të qeverisur.

Pra, pas asaj që ndodhi të shtunën, sipërmarrësit italianë dhe të huaj nuk duhet të kenë frikë nga asgjë?
Jo. E vetmja gjë që ka bërë protesta e opozitës ishte t’i jepte Shqipërisë një imazh negativ me një dhunë absurde, por me një rezultat zhgënjyes. Pasoja e vetme konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhë, të cilën e kisha instaluar në oborrin e Kryeministrisë.

Rama Corriere
Rama Corriere

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb