Nëse Brukseli zyrtar do të vendosë të hapë negociatat e anëtarësimit vetëm me Maqedoninë e Veriut, duke lënë jashtë dere Shqipërinë, sipas kryeministrit Edi Rama kjo mund të shkaktonte destabilitet në rajon.

Në intervistën dhënë për “Euronews”, kreu i qeverisë shqiptare thekson se një vendimmarrje e tillë, do ishte e dëmshme.

“Nuk do të ishte strategjike, nuk do të ishte shumë largpamëse, do të ishte sinqerisht shumë e dëmshme për rajonin. Në të njëjtën kohë do të ishte shumë e padrejtë. Po! Maqedonia e Veriut ka bërë progres shumë të madh me Marrëveshjen e Prespës dhe patjetër ata meritojnë të shpërblehen për këtë, sepse e kanë merituar. Por çështja është: A keni nevojë për një konflikt, për t’u shpërblyer për atë që bënë?”, deklaroi kryeministri.

Në intervistën dhënë gazetarit Jack Parrock, në rezidencën verore qeveritare në Dhërmi, ku kryeministri po kalon pushimet, i veshur sportiv me t-shirt e pantallona të shkurtra, Rama paralajmëron se BE duke të ketë nga axhenda të tjera, që mund të triumfojnë nëse procesi zgjerimit shtyhet.

“Përgjigja është shumë e thjeshtë. Është një plan i qëndrueshëm për Europën të mbajë këtë organ duke u zvarritur në trup, por jo të integrohet në të, duke pasur një zonë gri ku aktorë te tjerë me axhenda të tjera mund të triumfojnë nga zhgënjimi. Unë mendoj se nëse i kthehemi sensit të vërtetë të Europës siç e njohim atë sot, ishte një projekt paqeje dhe bashkëpunimi, një projekt që parandaloi luftëra dhe duhet të jetë një arsye se përse sot në Europë kemi gjeneratën e parë që po plaket pa parë një luftë”, shprehet Rama.

Shefi i ekzekutivit thekson i bindur se Shqipëria i ka bërë detyrat e saj, por se afrimi me BE-në varet nga dinamikat brenda Unionit.
“Ne jemi gati, bazuar në atë çfarë Komisioni ka vlerësuar tashmë dhe rekomanduar. Por jemi të vetëdijshëm se vendimmarrja e Këshillit nuk bazohet në atë çka bëjmë ne, apo vende si ne bëjnë, por në situatën e brendshme dhe dinamikat e brendshme politike në vende të ndryshme”, tha ai

I pyetur nëse është gati të lëshojë nga pushteti, për të parë Shqipërinë të anëtarësohet në BE, Rama dyshon se ditën kur të firmoset integrimi i plotë, nuk do jetë në krye të qeverisë shqiptare. “Rruga drejt anëtarësimin është shumë e gjatë. Unë dyshoj se do të jem atje kur të nënshkruhet anëtarësimi”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb