E përditshmja britanike “The Guardian” i ka kushtuar një shkrim kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ku vë në pah anën e tij artistike. Por edhe kryeministri Rama nuk ka ngurruar të përshkruaj në mënyrë joortodokse përvojën e tij të ndërthurjes së politikës me artin.

Lidhur me ekspozitën që kryeministri Rama ka hapur në galerinë Marian Goodman në Nju Jork, “The Guradian” ka komentuar se asnjë kryetar qeverie në botë nuk ka arritur të hapë një ekspozitë në këtë galeri prestigjioze. “The Guardian” thekson më tej se një gjë të tillë nuk ka arritur ta bëj as ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, i cili pas mandatit iu përkushtua pikturës.

Kryeministri Rama shpjegon për the “The Guardian” se duke lyer Tiranën me bojëra ndërsa ishte kryebashkiaku i qytetit, njerëzit filluan të paguanin taksat sepse, sipas tij, ata e kuptuan se me anë të ngjyrave qyteti ekzistonte.

“Ngjyrat e ndërtesës nuk ishin art për mua. Ishte një aksion politik, me ngjyra. Sepse nuk kishim para për të ndërmarrë projekte të mëdha infrastrukturore. Njerëzit kishin nevojë për gjithçka: ujë, rrugë, drita. Kur u bëra kryebashkiak i Tiranës, kishte vetëm 78 drita që punon në rrugët e qytetit. Pra imagjinojeni pak t’u shkoje njerëzve dhe t’i pyesje se çfarë ngjyre doni që t’i keni pallatet! Ata do të thoshin: Fuck you! Do të ishte mënyra më elegante për të thënë që nuk je i interesuar për këtë gjë”

Por pati një efekt zinxhir që nuk e kisha imagjinuar. Me t’u lyer ndërtesat me bojëra, njerëzit filluan t’i hiqnin gardhet nga dyqanet e tyre. Në rrugët e lyera, mbledhja e taksave ishte 100%, ndërkohë që mbledhja e taksave normalisht ishte 4%. Njerëzit pranuan të paguanin pjesën e tyre për qytetin, sepse e kuptuan se nëpërmjet ngjyrave qyteti ekzistonte” , rrëfen kryeministri Rama.

Kyeministri Rama i ka hapur zemrën “The Guardian” edhe për zhgarravinat e tij, që nisën ndërsa ishte ministër i Kulturës dhe nuk përqendrohej dot në mbledhje shtetërore.

“Nuk dija si të gjeja një mënyrë për t’u mbijetuar atyre mbledhjeve të gjata. Të vizatuarit më ndihmonte të dëgjoja. Vetëm pas shumë kohësh lexova studime që tregonin se zhgarravitja përmirëson përqendrimin dhe ul stresin. Është një proces që është bërë plotësisht pjesë e imja. Dhe është shumë frytdhënëse. Kur jam në rrethana që nuk zhgarravis dot ndihem nervoz; thjesht ndihem sikur nuk jam aty” , thekson kryeministri Rama.

Këtë përgjigje të kryeministrit Rama, “The Guardian” e ka komentuar se me kalimin e kohës vizatimet u përmirësuan nga zhgarravina të kota në kompozime më gjithëpërfshirëse. “The Guardian” gjithashtu në shkrimin për kreun e qeverisë shqiptare ka theksuar se Shqipëria vazhdon të jetë e varfër dhe korrupsion në vend vazhdon të jetë si një sëmundje.
(Përgatiti: Ilir Sinanaj)

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb