Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se vendimi i CDU/SCU për t’i thënë “PO” hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian është një hap pozitiv për vendin tonë, pasi sipas tij, do të ndihmojë në kapërcimin e krizës së thellë politike, për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe për një drejtësi të pavarur.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kreu i opozitës deklaroi se kryeministri Edi Rama hapi për herë të katërt shampanjë për hapjen e negociatave, por sipas tij, e vërteta është se vendimi final i BE do të merret vetëm kur Shqipëria të plotësojë 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu.

“Vendimi i CDU/CSU për hapjen e negociatave me kushte është shumë më mirë sesa qëndrimi për t’i thënë “Jo” Shqipërisë, sepse na ndihmon për të kapërcyer krizën e thellë, për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe për një drejtësi të pavarur, që nuk mbron politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Në emër të PD dhe opozitës së bashkuar të garantojmë çdo qytetar shqiptar dhe partnerët tanë, BE, partnerët tanë strategjikë euroatlantikë se PD dhe opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka që vendit t’i hapen sa më parë negociatat. Për këtë duhet një lexim realist i situatës, çka mungoi dje. Për herë të katërt Edi Rama i hapi negociatat dhe jo më kot mediat dhe rrjetet sociale i kujtuan mashtrimet e njerëzve çdo vit. Mediat kryesore, fatkeqësisht, iu bashkuan Edi Ramës në dasmën pa nuse. Por vetëm e vërteta na ndihmon të shkojmë përpara.

E vërteta është kur vendi të plotësojë 9 kushte të ndara në dy faza. Për herë të parë kemi një mekanizëm me dy faza, ndërkohë që Maqedonisë kapitujt do t’i përcaktohen që në konferencën e parë. Ndërsa ne kemi dy kushte, vënien në punë të gjykatës kushtetuese dhe gjykatës së lartë, reformën zgjedhore gjithëpërfshirëse. Konferenca e dytë do të ndodhë vetëm nëse janë zbatuar 7 kushtet e tjera.
Vetëm e vërteta na ndihmon ta përshkojmë deri në fund rrugën e vështirë, por të mundshme, për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE.

Duket qartë skanimi që Bundestagu i bën situatës. Në këtë skanim shihen dhe rezervat e mëdha, që mund të kishin çuar drejt një “JO-je” të prerë, në vend të një “Po-je” me kushte. Ne mund të sprapsim këtë autokraci të krimit e korrupsionit dhe të hedhim bazat e një shteti evropian, me barazi të qytetarëve”, tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb