TIRANE – Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me punonjësit e rinj të administratës publike, të cilët kanë rezultuar fitues në konkursin për vendet vakante në Departamentin e Administratës Publike. Shefi i qeverisë theksoi se testimet brenda administratës do të shërbejnë si instrument për të mos lejuar që struktura e re ligjore për nëpunësit e shtetit, të mos kthehet në një jorgan për të mbuluar paaftësinë.

“Unë jam i bindur që secili nga ju, duke qenë se është sot i ulur në një karrige që e ka fituar me emrit, do të jetë shumë më i ndërgjegjshëm për të mbrojtur qytetarët që meritojnë të marrin atë që u takon. Ky është një proces që vazhdon, nuk mbaron këtu. Problemi më i madh që kemi ne me këtë strukturë të re ligjore është që ligji të garantojë konkurrencë, përzgjedhje sipas meritës, por të mos kthehet në një jorgan nën të cilin ai që hyn në administratë ja fut gjumit se nuk ka zot që e zgjon më nga gjumi. Prandaj ne kemi futur konceptin e testimit brenda administratës. Çdonjeri duhet të provojë në mënyrë sistematike se është personi i duhur për atë vend pune”- deklaroi Rama.

Kryeministri garantoi se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për të investuar më tepër në drejtim të trajnimit të vazhdueshëm të punonjësve të administratës.

“Ne do të rrisim në mënyrë shumë gjeometrike nivelin dhe intensitetin  trajnimeve. Po bëjmë bashkëbisedim intensiv me Komisionin Evropian për të investuar shumë më tepër në këtë drejtim”- tha Rama.

Më tej, kryeministri theksoi se synimi i kësaj mazhorance është futja në administratë e ndjenjës së koorporatës publike, që është e orientuar në shërbimin ndaj klientit.

“Synimi ynë është që shtetin ta kthejmë si një kompani që shërben dhe në administratë të fusim ndjenjën e koorporatës publike që u shërben njerëzve dhe që është e orientuar e tëra si shërbim ndaj klientit. Kush e fal në sektorin privat një shërbim mizerabël ndaj klientit. Do t’i drejtohemi parlamentit përsëri për të futur nocionin e marrjes së përgjegjësisë individuale”- tha kryeministri.

HARITO: PROCESI TERESISHT TRANSAPRENT, JU PRESIN SFIDA

Ministrja e Inovacionit, Milena Harito theksoi se procesi i përzgjedhjes së punonjësve të rinj të administratës ishte totalisht transparent, i modernizuar dhe me standarde.

“Ju jeni dëshmitarët e parë të një momenti historik për administratën shqiptare. Hyni në administratë me një kompeticion të fortë, jeni 38 vetë nga mijëra që synonin të hynin në administratë. Ju hyni në administratë me kritere të përbashkëta për të gjithë. Të gjithë ju i keni plotësuar standardet e kërkuara. Procesi ishte totalisht transparent, i modernizuar dhe totalisht me standarde. Ju presin sfida në institucionet ku do shkoni”- deklaroi ministrja Harito.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: