TIRANË
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në parlament projektbuxhetin 2022, teksa theksoi se është dëshmi e një arritjeje domethënëse të këtyre dy viteve të vështira.
Ai deklaroi se asnjë sektor apo reformë nuk është lënë pas dore.
“Ky është buxheti i parë i mandatit tonë të tretë dhe kapitulli i parë i planit për të jetësuar vizionin ‘Shqipëria 2030’. Është një buxhet i ndërmjetëm mes fazës së imponuar të emergjencës së shkaktuar nga dy fatkeqësi të mëdha natyrore dhe fazës së re të adresimit të ambicies për arritjen e një niveli të ri zhvillimi në dekadën që kemi hyrë. Skema e këtij buxheti është dëshmi e një arritjeje domethënëse të këtyre dy viteve tejet të vështira.
Për të mbetur ambiciozë për të nesërmen gjatë kurimit të dy plagëve të rënda të së sotmes. Siç flet qartë dhe ky buxhet asnjë sektor, aspo reformë nuk është lënë pas dore dhe me këtë buxhet të ndërmjetëm pavarësisht dhe krizës së energjisë rrisim financimin për të mbështetur njerëzit, kategoritë më në nevojë, forcat e punës, fëmijët, nxënësit, të rinjtë, shërbime publike. injektojmë financime të konsiderueshme.
Rrisim pagat me një bonus të posaçëm deri në 150% për punonjësit e policisë që punojnë larg vendbanimit. Nuk rrisim asnjë taksë për asnjë kategori. Dyfishojmë ndihmën ekonomike për rreth 15 mijë familje që kanë 3 a më shumë fëmijë deri në 18 vjeç. Ligjërojmë me këtë buxhet pagën prej 30 mijë lekësh të reja në muaj për naftëtarët e Fierit për gjithë vitin 2022 ndërkohë që kërkojmë një zgjidhje. 26 mln dollarë indeksimi i mëtejshëm i pensioneve, si dhe 36 mln dollarë bonusi i fundvitit.
Financojmë rimbursimin e barnave për mbi 400 mijë qytetarë me 111 mln dollarë. 27 mln dollarë për vaksinimin. Për herë të parë fillojmë dhe me programet kombëtare të arteve dhe të zejeve, teknologjia, sportet për fëmijët dhe nxënësit me një financim të posaçëm në buxhetin e shtetit.
Sektor më sektor, duke nisur nga reforma në drejtësi, financohet 84 mln dollarë. Jemi në një fazë të rëndësishme të reformës në drejtësi, ku vijon nga njëra anë pastrimi i llumit që s’ka të mbaruar dhe nga ana tjetër ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë. Për të gjithë ata që me të drejtë presin më shumë rezultate dhe më shpejt, dua të them se duhet dhe më shumë durim”, tha Rama.
Ai foli për një revolucion dixhital në shërbim të qytetarit, sipërmarrjes, zhvillimit ekonomik, luftës kundër krimit e korrupsionit që me buxhetin e 2022 merr një shtysë të re.
“Ishte lajm sot në mediat italiane, vajtja e Presidentit të Italisë për të tërhequr certifikatën online dhe ndërkohë debati sot po ashtu ishte lidhur me faktin që shërbime të ndryshme nuk mund të ofrohen për shkak të mossigurimit të ndërpverpimit të bazave të të dhënave. Për ne kjo është histori. Jo më certifikatat janë online, por me 31 dhjetorin e këtij viti mbyllen online të gjitha shërbimet publike të dokumenteve që nuk kanë nevojë për praninë fizike.
Ndërkohë hyjmë në fazën e mbylljes së ciklit jo vetëm për aplikimet online dhe për një pjesë të shërbimeve që mbyllen edhe me dhënien e dokumentacionit online me vulë elektronike, por për të gjitha shërbimet. Platforma e bashkëqeverisjes ka kaluar në kuvend dhe është ligj, sot duke e çuar në një nivel tjetër gjithë rrjetin tradicional të komunikimit të institucioneve me qytetarët se ka shumë konfuzion dhe teori, por thelbi është që çdo shtet kanë tradicionalisht disa prej shekujsh, disa prej dekadash, zyrat e marrëdhënieve me publikun, me qytetarët, të cilat janë zyra që në pjesën më të madhe funksionojnë me letra. Platforma i ka çuar këto marrëdhënie në nivelin e ndërveprimit online, duke siguruar dhe një monitorim dhe një kontroll mbi administratën dhe duke garantuar një bazë mbi të cilën edhe njësia antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë ka hyrë tanimë në një fazë të re. Ajo çka ne do të garantojmë në vijim dhe është ambicia e këtij mandati është që të sigurohet jo vetëm mbyllja përfundimtare e të gjitha sporteleve në RSH, që ofrojnë shërbime me radha dhe kontakte të drejtpërdrejt me punonjësit e administratës që pastaj rezultojnë shpesh herë në marrëdhënie ku futet ryshfeti, por edhe për të garantuar që përfundimisht qytetari të bëjë kërkesën dhe i gjithë dokumentacioni mbështetës që duhet për të marrë një shërbim të garantohet brenda përbrenda sistemit të dixhitalizuar të shtetit dhe të mos ketë më qytetarë që të shkojë në 17 dyer të tjera për të bërë gati dosjen”, tha Rama.