TEPELENE – Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në jug të vendit ku njoftoi për nisjen e punimeve për Bypass-in e Tepelenës.

Kreu i qeverisë tha se ky aks ka rëndësi strategjike për zhvillimin e Tepelenës dhe të zonave përreth.

Rama gjithashtu njoftoi se në sezonin e ardhshëm turistik do të jetë i hapur edhe Bypass-i  i Fierit.  Në lidhje me bypass-in e Tepelenës, ai u shpreh se “do ta kenë më të lehtë për t’u transformuar shumë zona në aspektin e zhvillimit rural dhe agroturizmit duke ndihmuar familje të tëra të dalin nga varfëria”

“Sot finalizojmë një punë të nisur prej disa kohësh dhe çelim një kantier me rëndësi strategjike për të gjithë aksin, edhe për zhvillimin e Tepelenës, që siç mund ta dëshmojnë të gjithë është në proces transformimi rrënjësor pas dekadash harrese.

Sot ne çelim kantierin për Bypass-in për dekada të tëra dhe pjesë e historisë së trishtueshme të bypass-eve që mjafton për të ilustruar më së miri se sa para, energji e kohë janë humbur për vite të tëra për të ndërtuar bypass-et.

Në fillim të gushtit hapen ofertat dhe jemi besimplotë që në tetor do të nisë puna për të mos u ndalur më. Bypass-i i Fierit do të jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik, kurse ai i Vlorës do të vonojë pak në kohë. Ka filluar dhe bypass-i i Milotit për rrugën e re Milot-Balldren.

Sot jemi në kushtet kur projekti për Bypass-in e Tepelenës është realizuar. Kjo rrugë merr parasysh dhe nevojat për zhvillim afatgjatë të të gjithë qarkut të Tepelenës. Falë këtij bypass-i do bëhet një lidhje më e shkurtër me 13 fshatrat që janë pjesë e programit “100 fshatrat”

Falë kësaj lidhje do ta kenë më të lehtë për t’u transformuar shumë zona në aspektin e zhvillimit rural dhe agroturizmit duke ndihmuar familje të tëra të dalin nga varfëria” tha Rama.

Mes të tjerash kreu i qeverisë nënvizoi faktin se asnjë qindarkë lekë nuk do të hidhet kot. Teksa ironizoi qeverinë e kaluar, Rama tha se qëllimi i kabinetit të tij është që të përfundojë projekti dhe jo të inaugurojë rrugë me daulle.

“Kemi nisur procesin për të bërë vlerësimet e nevojshme për të ndërtuar aeroportin e Sarandës. Do jetë një shërbimi drejtpërdrejtë për banorët e kësaj zone. Nuk dua të zgjatem më tutje për të tjera projekte. Ministri përmendi edhe impaktin në infrastrukturë për Përmetin. Në qarkun e Vlorës, një nga rrugët që do të ndërtohet është ajo që do të lidh me Tepelenën. Nuk bëjmë inaugurime dhe i bëjmë daulleve. Puna do të nis dhe s’do të ndalet deri në përfundimin me standarde ndërkombëtare. Ne duam dhe do ndërtojmë akse kombëtare dhe s’do të lejojmë që me paratë e taksapaguesve të shkojnë dëm siç kanë shkuar deri dje dhe të ngarkojnë me borxhe të pamerituara qytetarët tanë. Çdo qindarkë që do të ndihet do të jetë një investim që do të kthehet për investim për familjet”, tha Rama.
 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: